Futboll

Covid-19, “El Clasico” po luhet jashtë fushe

Klasikja e fundit e sezonit në Spanjë po luhet jashtë fushe dhe si protagonist, ka Covid-19. La Liga kërkon të rinisë dhe ka përcaktuar 12 qershorin si datë e mundshme për rikthimin në fushë, por jo të gjithë janë dakord. “Mbetet vetëm një muaj, do të rinisim pa luajtur miqësore. Nëse mund të them mendimin tim, edhe për të evituar dëmtime, ndonjë ditë më shumë nuk do të bënte keq” ka komentuar Piqué, mbrojtësi i Barcelonës. “Mezi pres të kthehem të luajë” është pozicionimi i Sergio Ramos, kapiteni i Real Madrid.

Të përfundosh kampionatin në fushë megjithatë është zgjidhja e duhur për të dy mbrojtësit e kombëtares spanjolle. Në klasifikim Barcelona dhe Real Madrid janë të ndara nga dy pikë me katalanasit në krye dhe virtualisht kampionë nëse sezoni do të mbyllej para kohe. Një përfundim që as Piqué nuk e do, pavarësisht kujdesit në lidhje me projektin e rifillimit të propozuar nga Liga: “Janë shumë interesa në lojë, La Liga do të përfundojë sepse ka shumë gjëra që luhen. Të luash pa publik nuk na pëlqen, por të përfundosh La Liga pa luajtur, edhe pse jemi në krye, do të ishte e shëmtuar”.

Pesë futbollistë të Liga dhe Segunda Division kanë rezultuar pozitivë me Covid 19 pas tamponeve të kryera përpara nisjes së stërvitjeve personale dhe janë izoluar menjëherë. “Dua të jap një mesazh mbështetës për të gjithë ata që kanë humbur njerëzit e dashur. Do ja dalim dhe duhet të qëndrojmë bashkë – ka thënë kapiteni i Real Madrid, Sergio Ramos -. Na duhet kohë për të rifilluar. Vendi ka nevojë për futbollin si suport ekonomik, ndërsa njerëzit si zbavitje”. Për Real është mundësia e një sprinti final për të fituar titullin: “Mezi pres të kthehem të luaj. Shpresojmë që La Liga mund të kthehet në normalitet. Duhet të jemi të disiplinuar në mënyrë që të eliminojmë këtë virus. Njoh shumë mirë kalendarin e dy skuadrave. Të bësh parashikime është pak e guximshme. Objektivi është të jemi kampionë”.

Për momentin dy skuadrat stërviten me seanca të reduktuara dhe individuale, siç ka treguar vetë Piqué: “Mjekët e klubit tonë na kanë shpjeguar detajet, për momentin eksperienca po shkon mirë, ndihemi të qetë, edhe pse është ndryshe nga më parë: më mirë të stërvitemi në grup. Duhet të njohim dhe të aplikojmë protokollin, nëse do e bëjmë, gjithçka do të shkojë mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë