FMN është e shqetësuar nëse fondet e disbursuara me shpejtësi prej saj për të ndihmuar vendet në emergjencën Covid-19, do të bien pre e korrupsionit.
Fondi u kërkon qeverive përfituese, përfshirë Shqipërinë që të mbajnë shënim dhe fatura për çdo shpenzim sepse sipas FMN-së korrupsioni, abuzimi me detyrën publike për përfitime private ka të bëjë më shumë se me paratë e humbura: ajo gërryen kontratën sociale dhe gërryen aftësinë e qeverisë për të ndihmuar në zhvillimin e ekonomisë në një mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët.
Korrupsioni, thotë Fondi në një shkrim, ishte një problem para krizës, por pandemia COVID-19 e ka rritur rëndësinë e qeverisjes më të fortë për tre arsye.
Së pari, qeveritë në të gjithë botën po luajnë një rol më të madh në ekonomi për të luftuar pandeminë dhe për të siguruar shpëtimin ekonomik për njerëzit dhe firmat. Ky rol i zgjeruar është thelbësor, por rrit edhe mundësitë për korrupsion. Për të siguruar që paratë dhe masat të ndihmojnë njerëzit që u duhen më së shumti, qeveritë kanë nevojë për raportim në kohë dhe transparencë, auditime dhe procedura të llogaridhënies, dhe bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile dhe sektorin privat.
Së dyti, ndërsa përkeqësohen financat publike, vendet duhet të parandalojnë evazionin fiskal dhe humbjen e fondeve të shkaktuara nga korrupsioni në shpenzimet publike.
Së treti, krizat testojnë besimin e njerëzve në qeveri dhe institucione dhe sjellja etike bëhet më e dukshme kur shërbimet mjekësore janë në një kërkesë kaq të lartë. Provat e korrupsionit mund të dëmtojnë aftësinë e një vendi për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive krizës, thellimit të ndikimit ekonomik dhe kërcënimit të një humbjeje të kohezionit politik dhe shoqëror.
“Gjatë kësaj krize FMN nuk e ka hequr vëmendjen nga qeverisjet dhe puna antikorrupsion. Mesazhi ynë për të gjitha qeveritë ka qenë i qartë: shpenzoni gjithçka që ju nevojitet, por mbajini faturat, sepse ne nuk duam që përgjegjësia të humbasë gjatë procesit.”- citon FMN.
Në punën tonë të huadhënies, thotë ajo, ne kemi siguruar disbursime të shpejta për të përmbushur nevojat urgjente. Në të njëjtën kohë, masat e rritura të qeverisjes për të gjetur shpenzimet e lidhura me COVID-19 kanë qenë pjesë e financimit të urgjencës për vendet për të luftuar pandeminë.
Vendet huamarrëse janë zotuar të ndërmarrin dhe publikojnë auditime të pavarura të shpenzimeve të lidhura me krizën dhe të publikojnë kontratat e prokurimit të lidhura me krizën në uebfaqen e qeverisë, përfshirë identifikimin e kompanive që kanë dhënë kontratën dhe pronarët e tyre përfitues. FMN gjithashtu siguroi që burimet e emergjencës t'i nënshtrohen politikës së Vlerësimit të Masave të Mbrojtjes së FMN.
Reforma afatgjatë përtej krizës
Masat mbrojtëse të qeverisjes për ndihmë emergjente në lidhje me COVID-19 janë pjesë e një përpjekje më gjithëpërfshirëse të FMN për të përmirësuar qeverisjen e mirë të vendeve anëtare dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin.
FMN ka rritur ndjeshëm përqendrimin e saj në qeverisje dhe korrupsion gjatë viteve të fundit. Ne kemi miratuar në vitin 2018 një kornizë të përmirësuar, të dizajnuar për ta bërë punën tonë me vendet, më të sinqertë, të njëtrajtshme dhe efektive. Kjo hodhi themelet për politikën tonë dhe përgjigjen e huadhënies, ku qeverisja më e fortë ka rëndësi edhe më shumë.
FMN thotë se ka bërë vlerësimet e saj. Qëllimi i vlerësimeve, i realizuar nga FMN, është të përcaktojë shkallën në të cilën një vend bën dy gjëra: (1) kriminalizon dhe ndjek penalisht ryshfetin e zyrtarëve publik të huaj dhe (2) parandalon që zyrtarët e huaj të fshehin të ardhurat korruptive në financat e sistemit ët vendit të vet apo ekonominë ku punon. FMN inkurajon fuqimisht vendet anëtare të vullnetarizohen për një mbulim të tillë në kontrollet vjetore të shëndetit ekonomik.
Frenimi i korrupsionit kërkon reforma, bashkëpunim ndërkombëtar dhe një përpjekje të përbashkët me shoqërinë civile dhe sektorin privat. Ai gjithashtu përfshin vullnetin politik dhe zbatimin e besueshëm të reformave në muaj dhe vite.
Kjo krizë sipas FMN-së, do të forcojë përqendrimin e saj në qeverisje në vitet në vazhdim për shkak të efekteve shkatërruese të pandemisë dhe kostove për njerëzit dhe ekonomitë. Vendet nuk mund të përballojnë të humbin burimet e çmuara në kohën më të mirë, dhe aq më pak gjatë dhe pas pandemisë. Nëse ndonjëherë ka pasur një kohë për reforma antikorrupsion, tani është.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.