“Është mërzitur në shtëpi dhe atëherë që dalim në park i themi të rrije larg të gjithëve” tregon Aneda, nëna 6 vjeçares, Anja.
Ajo thotë se Anja është një fëmijë shumë aktive dhe para pandemisë jeta e saj ka qenë e mbushur me aktivitete. Ishte në kopësht, merrte kurs vallëzimi dhe dilte gjatë gjithë kohës me familjarët. Në fillim të pandemisë ishte e lumtur sepse nuk kishte pse të zgjohej herët dhe i pelqente të rrinte në shtëpi të shikonte kukulla. Për një kohë të shkurtër familjarët e saj vunë re se ajo po fillonte të bëhej nervoze dhe qante sa herë dëgjonte të flitej për virusin.
E ëma i tregon Gazetës “Si” se javën e dytë e më pas ka qenë “një luftë” e madhe me vajzën.
“Donte të dilte për të luajtur në park a në lagje dhe kur i thonim se asnjë nuk del, ajo mendonte se nuk duan të tjerët të luajnë me të. Nuk merrej më me kukullat e saj dhe nuk shikonte televizor. Çdo lojë tashme i dukej kot” tregon ajo.
Ajo na thotë se Anja e di që virusi po vret shumë njerëz në botë dhe kjo e ka mërzitur dhe trembur shumë ndoshta dhe nga çdo gjë që ka dëgjuar për Covid-19.
Por a duhet të ketë një mënyrë për t’ju folur fëmijëve rreth kësaj teme?
Psikologe Lorela Garuli thotë se fëmijët janë në dijeni të asaj që po ndodh me coronavirusin dhe “nëse ne si të rritur nuk i sqarojmë se çfarë po ndodh, ata vetë mund të dalin në përfundime më alarmante sesa e vërteta”, kështu që për këtë arsye, në radhë të parë, të rriturit, prindërit, duhet të informohen nga burime të sakta e të sigurta siç është OBSH-ja përpara se t’i shpjegojnë fëmijës situatën dhe të mundohen të tregojnë aq sa një fëmijë duhet të dijë dhe në formën që duhet ta dije.
“Prindërit dhe të rriturit duhet të flasin me fjalë që janë të njohura dhe familjare për fëmijët si psh: grip, ftohje, kollë, temperaturë e jo në terma që fëmijët mund të mos i kuptojnë, pasi ankthi nga e panjohura është shumë i rrezikshëm.Për këtë arsye është e nevojshme të flitet, të kuptohet rëndësia e situatës, duke mos bërë sikur nuk po ndodh gjë, por edhe duke mos shtuar frikën dhe trembjen” thotë Lorela.
Psikologia thekson gjithashtu se duhet ti nxisni fëmijët të heqin cdo paqartësi duke ju pyetur dhe jo duke kërkuar përgjigje nga burime të tjera informacioni. Nëse pyesin psh a ka kurë, mund t’i shpjegoni që shkencëtarët po përpiqen ta gjejnë, por ndërkohë duhet të ndjekin rregullat përkatëse të higjienës.
“Përpiquni të jeni vetë të qetë, emocionet e fëmijëve janë pasqyrë e tuajave” thotë Lorela.
Ajo këshillon që të mos flisni më shumë sesa duhet për këtë temë dhe kur ta bëni, “tregojini për numrin e njerëzve që kanë qenë të infektuar, por janë shëruar, është shumë e rëndësishme të mos humbet besimi” përfundon Lorela.
Kevi dhe Alan jane dy vëllezër, njëri 5 vjec e tjetri 3 dhe jetojnë në periferi të Tiranës me prindërit e tyre. Sipas asaj që thotë Nela, mamaja, pandemia i ka ndryshuar totalisht.
“Janë bërë shumë keq, bërtasin nëpër shtëpi dhe qajnë shumë. Zihen me njëri-tjetrin dhe me ne. Nuk duan ta kuptojnë se nuk janë gjërat si më parë dhe madje shumë herë na fajësonin ne për këtë fakt.” thotë Nela.
Ajo tregon se si ajo edhe bashkëshorti i saj kanë qenë shumë në ankth gjatë pandemisë dhe kjo bënte që të transmetohej dhe tek dy fëmijët e tyre të cilët merrnin gjithë energjinë negative të prindërve.
Ky vit do të jetë hera e parë për Kevin që nuk do bëjë pushime dhe kjo është shumë për të që mezi i pret. Madje Nela na thotë që ai sa herë që flet në telefon me njerëzit e tyre ju jep lajmin e keq “këtë vit nuk do shkoj me pushime”.
Padyshim ka shumë fëmijë që ndjehen njësoj dhe nuk arrijnë dot të ambientohen me mënyrën e re të jetesës.
Për këtë, psikologe Arjana Muça thotë se zhvillimi i fëmijës është i lidhur ngushtë me mjedis ku ai rritet dhe se si ndërvepron. Të ndalosh këtë ndërveprim është njësoj sikur bimës ti ndalosh ujin dhe diellin.
“Pandemia me izolimin e saj ka filluar të reflektoj problemat e para psikologjike tek fëmijët. Shumica në varësi të moshës kanë probleme me gjumin i cili është një hallkë e zhvillimit të fëmijës” tregon ajo.
Psikologia argumenton se fëmijët kanë nevojë për hapësirën e tyre dhe bisedimi apo dhe thjesht të rrinë me bashkëmoshatarët e tyre është e rëndësishme.
Arjana thotë për Gazetën “Si” se nëse do vazhdojmë me shkollat e mbyllura dhe proces mësimor online, do të shohim një shtim të numrit të fëmijëve që do të shfaqin sjellje agresive si rezultat i të qëndruarit brenda dhe pa ndërveprim me njeri-tjetrin plus që të mësohesh me sjellje të reja do kohën e saj dhe mbi të gjitha qetësi.
“Frika dhe format e lehta depresive tek fëmijët erdhën dhe si rezultat i reagimit të prindërve të cilët në panik ndaj një virusi të panjohur, përcollen sjelljet e gabuara tek fëmijët” thotë Arjana Muça.
E rëndësishme është të kuptojmë që fëmija ka nevojë për familjen, por mbi të gjitha për mjedisin me të cilin ndërvepron që të jetë i shëndetshëm jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Prandaj Arjana Muça këshillon që prindërit duhet të përpiqen sa më shumë t’ju kushtojnë vëmendje fëmijëve dhe të luajnë me ta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.