Kosova

Covid-19, BE do të heqë Kosovën nga lista e kuqe

Shtetasit e Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi do të mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian edhe pa arsye thelbësore. Shtetet anëtare të BE-së u pajtuan të mërkurën me propozimin e përgatitur nga Presidenca portugeze e Bashkimit Evropian. Ky vendim pritet të hyjë në fuqi deri në fund të javës së ardhshme.

Ky vendim nënkupton se qytetarët e këtyre vendeve, përfshirë ata që nuk janë të vaksinuar kundër koronavirusit, do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së.

Heqja nga lista e kuqe e udhëtimeve bëhet për shkak të situatës së favorshme epidemiologjike në këto tri shtete. Ndërkaq, para dy jave, në listën me rrezik të ulët nga COVID-19 ishin përfshirë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Lehtësimi i kushteve për udhëtim në vendet e Ballkanit Perëndimor vjen pikërisht në kohën kur një numër i madh i qytetarëve me banim në shtetet e BE-së, me prejardhje nga ky rajon, shkojnë në pushime vjetore.

Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të BE-së diskutojnë sot draft-listën e re, e cila, përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshin edhe Kanadanë, Moldavinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Jordaninë, Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

BE-ja i azhurnon listat çdo dy javë, në përputhje me situatën epidemiologjike në secilin vend .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë