Bota

Covax nis shpërndarjen e vaksinave në fund të shkurtit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar sot se dërgesat e para të vaksinave nëpërmjet nismës Covax do të shpërndahen javën e fundit të shkurtit.

Ky mekanizëm, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria, do të bëjë të mundur prokurimin dhe shpërndarjen e vaksinave kundër Covid-19 për vendet e varfër. OBSH njoftoi se lista përfundimtare e dërgesave të para të vaksinave të AstraZeneca do të publikohet javën e ardhshme, por të gjitha gjasat janë që pjesë e kësaj liste të jetë edhe Shqipëria.

Të hënën, OBSH dha vulën e aprovimit për vaksinën AstraZeneca-Oxford që prodhohej në impiantet në Indi dhe Korenë e Jugut, për t’ua shpërndarë vendeve të para. Sipas një plani të shpërndarjes së publikuar nga Covax dy javë më parë, Shqipëria do t’i marrë vaksinat e Covax nga fabrika e Koresë së Jugut dhe Indisë.

“Covax parashikon që pjesa më e madhe e raundit të parë të dërgesave të ndodhin në mars dhe dërgesat e  hershmen ë fund të shkurtit,” tha në një deklaratë OBSH.

Sipas një plani të publikuar nga OBSH, Shqipëria pritet të marrë deri në mars, 21 mijë doza nga Astrazeneca, dhe në tre mujorin e dytë 7800 mijë doza nga kompania britanike. Shuma totale që Shqipëria po i jep Covax është 3.99 milionë dollarë, një shumë parash do të rrijë e ‘ngrirë’ nga pala shqiptare deri në marrjen e vaksinës. Por pavarësisht zotimit të zyrtarëve të OBSH se Covax do të niste shpërdarjen në fund të janarit, nisma duket se ka mbetur shumë prapa në sigurimin e vaksinave.

Pasi Pfizer iu bashkua këtij mekanizmi, OBSH ka akuzuar vendet e pasura për grumbullimin e dozave dhe ngritjen e çmimeve, duke penguar kështu punën e Covax. Vendet më të pasura, të cilët shpesh kanë investuar në zhvillimin e vaksinave, kanë para-rezervuar shumë prej grupeve të hershme të vaksinave, duke i vonuar kështu vaksinat për vende si Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë