Futboll

Coppa Italia, Milan fik Inter-in

Dy herë Luka Jovic dhe në fund Tijani Reijnders mjaftuan që Milan të shuante ëndërrën e Inter për Triple-tën e dytë pas fitores 3-0 në ndeshjen e kthimit për ½ finalet e Kupës në Apenine. Kuqezinjtë ja dolën ta mbyllnin sezonin pa humbje përballë zikaltërve. Serbi që ka vuajtur dëmtime rradhazi, këtë herë ishte shpëtimtari i Conceiçao-s në derbin që e kthen Milan-in pas 7 viteve në Finalen e “Coppa Italia”. Martinez, Taremi dhe Asllani e nisën nga fillimi dhe Inter krijoi 3 raste në 30 minuta me Darmian, Dimarco dhe Martinez që nuk e zhbllokuan dot sfidën.

Nga ana tjetër Leao provon dhe ndalet, jo një por dy herë nga Asllani dhe Bisseck. Të cilëve ju shpëtoi Jovic për të shfrytëzuar krosimin e Jimenez që u shndërrua në golin e 3 me fanellën e Milan (pas atyre ndaj Fiorentina-s dhe Eintracht). Katër minuta pas kthimit nga pushimi sërish Jovic, dyfishon shifrat me të 4 gol kuqezi (të gjithë brenda 1 muaji), këtë herë pas kombinimit me Theo Hernandez. De Vrij ndalet nga Maignan pas një gjuajtje nga ajri që ishte shumë pak për ta rihapur sfidën. Të cilën e mbylli një herë e mirë binomi Leao-Reijnders.

Portugezi shërben, holandezi shënon. Triple-ta (e dyta) vazhdon të jetë një ëndërr. Milan mbetet macja e zezë për Inzaghi-n që këtë sezon nuk e mundi asnjëherë (2 barazime e 3 humbje). Conceiçao i mori atij Superkupën dhe e largoi nga “Coppa Italia”. Milan rikthehet në korsinë e duhur pas 6 humbjeve rradhazi në derbi (2023-2024). Në Finale me shumë gjasë do të jetë Bologna (fitoi 3-0 ndaj Epoli-t në Castellani).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë