Nga Gazeta Si - Gati 200 vende në samitin e klimës Cop28 kanë rënë dakord për një marrëveshje që, për herë të parë, u bën thirrje të gjitha kombeve të largohen nga karburantet fosile për të shmangur efektet më të këqija të ndryshimit të klimës.
Pas dy javësh negociatash, herë pas here të ashpra, në Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja u përfundua nga presidenti i Cop28, Sulltan Al Jaber të mërkurën në mëngjes, duke marrë duartrokitje nga delegatët dhe një përqafim nga shefi i klimës i OKB-së, Simon Stiell.
Gjithsesi, marrëveshja nuk përfshin një përkushtim të qartë për të hequr menjëherë ose gradualisht karburantet fosile, siç kishin kërkuar shumë vende, grupe të shoqërisë civile dhe shkencëtarë.
Në vend të kësaj, u arrit një kompromis që u bën thirrje vendeve të kontribuojnë në përpjekjet globale për të hequr dorë nga lëndët djegëse fosile në sistemet energjetike “në një mënyrë të drejtë, të rregullt dhe të barabartë, duke përshpejtuar veprimet në këtë dekadë kritike, në mënyrë që të arrihet zero neto deri në vitin 2050”.
Al Jaber tha se marrëveshja dha një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj një rivlerësimi global nëse vendet po përmbushnin marrëveshjen historike të Parisit për klimën e arritur në 2015.
Pati konfuzion në sallën plenare menjëherë pas miratimit të marrëveshjes, pasi shumë palë kishin supozuar se do të kishte një debat mbi tekstin, i cili u lëshua për shqyrtim vetëm katër orë përpara se të miratohej.
Aleanca e Shteteve të Vogla Ishullore, që përfaqëson 39 vende, tha se nuk kishte qenë në sallë kur u miratua marrëveshja pasi ishte ende duke koordinuar përgjigjen e saj. Kryenegociatorja e saj, Anne Rasmussen nga Samoa, nuk e kundërshtoi zyrtarisht atë vendim dhe beson se marrëveshja kishte "shumë elementë të mirë", por ajo tha se "procesi na ka dështuar" dhe nuk ka shkuar aq larg sa duhet. Ajo tha se marrëveshja kishte një "një mori zbrazëtirash".
António Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, shkroi në Tëitter pasi u arrit marrëveshja: “Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, heqja e karburanteve fosile është e pashmangshme. Le të shpresojmë që të mos vijë shumë vonë.”
John Kerry, i dërguari i SHBA-së për klimën, tha: “Fakti është se ky dokument dërgon një sinjal shumë të fortë për botën”.
Kerry njoftoi se SHBA dhe Kina, dy emetuesit më të mëdhenj në botë, kishin rënë dakord “që të synojmë të përditësojmë strategjitë tona afatgjata dhe ftojmë palët e tjera të bashkohen me ne”.
Në marrëveshje shkruhet se vendet pranojnë nevojën për reduktime të thella, të shpejta dhe të qëndrueshme në emetimet e gazit serrë dhe bën thirrje për një trefishim të kapacitetit global të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.