Mjedis

COP26, çfarë ndodh pasi liderët botërorë u larguan nga samiti i klimës?

Ka qenë një javë plot ngjarje në samitin e klimës COP26. Ditët e para ishin liderë botërorë si presidenti Joe Biden, kryeministri kanadez Justin Trudeau, ai indian Narendra Modi, etj që arritën në Glasgow për të bërë premtime të reja për trajtimin e krizës klimatike. Modi “vodhi shfaqjen” të hënën kur njoftoi se India do të synonte zero neto karbon deri në vitin 2070.

U siguruan marrëveshje të mëdha për shpyllëzimin, qymyrin dhe metanin. Në këto marrëveshje kanë filluar që tani të ketë probleme edhe pse janë një progres drejt trajtimit të disa prej problemeve kryesore të krizës klimatike.

Por çfarë ndodh tani që të gjithë liderët botërorë janë larguar?

“Kjo është pika ku negociatat mbi marrëveshjet zyrtare që do të dalin nga bisedimet janë në qendër të vëmendjes”, shpjegon Stephen Corenelius, këshilltar kryesor për ndryshimet klimatike për WWF (Organizatë ndërkombëtare që punon për reduktimin e ndikimit njerëzor në mjedis) dhe një ish-negociator i COP për Mbretërinë e Bashkuar.

Janë përfaqësuesit e vendeve që punojnë për të zgjidhur çështjet kryesore. Këto variojnë nga të mëdhatë, të tilla si finalizimi i detajeve të Marrëveshjes historike të Parisit, deri te detajet e zakonshme se si vendet duhet të raportojnë emetimet e tyre të gazeve serrë.

Negociatat zhvillohen në dhoma të caktuara brenda konferencës.

“Negociatorët diskutojnë çështje të ndryshme javën e parë dhe çdo gjë që është më e vështirë dhe nuk mund të bihet dakord për të diskutohet në një nivel më politik nga ministrat”, thotë Corenelius.

Një detyrë kryesore për negociatorët në Cop26 është finalizimi i pikave të mbetura penguese në rregulloren e Marrëveshjes së Parisit, i cili trajton pyetjet rreth mënyrës se si vendet duhet të formulojnë planet e tyre klimatike.

Një pjesë e paqartë dhe shumë teknike e rregullores, e njohur si neni 6, është pjesa e fundit e enigmës kryesore që duhet zgjidhur. Mbulon rregullat për tregjet e karbonit dhe llojet e tjera të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Negociatorët nuk arritën të bien dakord për rregullat për nenin 6 në konferencën e fundit të OKB-së për klimën në Madrid në vitin 2019. Meqë vende të ndryshme mbajnë qëndrime të ndryshme se si duhet zgjidhur çështja, nuk do të jetë e lehtë për negociatorët që ta zgjidhin çështjen në Glasgow.

Një çështje tjetër kryesore është financa. Në vitin 2009, vendet e pasura premtuan t’u ofrojnë vendeve më të varfra 100 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2020 për t’i ndihmuar ata të kalojnë dhe të përballen me ndikimet e përshkallëzuara klimatike.

Megjithatë, ky afat iku, duke ofruar një sfond të vështirë për diskutime të mëtejshme rreth asaj se çfarë lloj financimi duhet të sigurohet për pas 2025.

Një pikë tjetër kryesore e bisedës është aspirata e Marrëveshjes së Parisit për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1.5C mbi nivelet para-industriale. Në gusht, një raport historik i klimës paralajmëroi se objektivi i temperaturës rrezikon të mos arrihet nëse vendet nuk merrnin masa urgjente.

Juan Pablo Osornio, kreu i delegacionit të Greenpeace në Cop26, tha se marrëveshja përfundimtare nga Glasgow duhet të ruajë angazhimin për të kufizuar temperaturat në 1.5C.

“Në mënyrë thelbësore, teksti zyrtar i Marrëveshjes Cop26 Glasgow duhet të mbajë qëllimin për të kufizuar ngrohjen në 1.5C”. thotë ai duke shtuar se çdo gjë më pak do të ishte një dështim i plotë dhe një mungesë e përgjegjësisë nga liderët botërorë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë