Kryeministri italian Giuseppe Conte i kërkon opozitës shqiptare që të ulet në tryezë me mazhorancën pa vendosur kushte dhe të angazhohet në realizimin e reformës zgjedhore. Apeli i Contes u bë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama. “I kam theksuar kryeministrit qartësisht edhe për sjellje të hapur ndaj opozitës për të zhbllokuar dhe vijuar në rrugën e reformave dhe në veçanti atë elektorale. Dhe marr guximin si kryeministër i një vendi që ka një traditë të fortë miqësie me Shqipërinë, që t’i ripërsëris edhe një herë kryeministrit që t’i ftojë partitë opozitare, të mirëpresin një ftesë të tillë nga mazhoranca, me shpirt konstruktiv dhe nëse më lejoni, pa kushte”, deklaroi Conte.
Kryeministri italian ka shprehur edhe një herë zhgënjimin e tij për refuzimin që iu bë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar si një gabim historik vendimin që mori Bashkimi Europian. “Mbetet aktuale zgjidhja e krizës politike në Shqipëri për të kompletuar dhe procesin dhe për të pasur të gjitha letrat në rregull për takimin tjetër ku vendet anëtare do të thirren për të dhënë qëndrimin e tyre për zgjerimin. Ajo që mund të garantoj është se Italia do të jetë në rreshtin e parë për ta mbështetur. Besoj se BE ka një përgjegjësi të madhe dhe nuk mund ta ndërpresë këtë rrugë, as ta shtyjë”, tha gjatë daljes publike kryeministri italian.
Kryeministri Rama nga ana e tij u shpreh se Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veç integrimit në BE. “Për fat të keq Këshilli Europian nuk arriti të merrte vendimin e duhur për Shqipërinë, çka solli një mesazh dobësie. Dua të përshëndes qëndrimin e Italisë për negociatat. Ne do të vazhdojmë të njëjtën rrugë, do të vijojmë bashkë me popullin”, deklaroi Rama.
Bashkëpunimi ekonomik, apeli i investitorëve italianë dhe marrëveshjet e njohjeve të sigurimeve shoqërore kanë qenë në vëmendjen e deklaratave të kryeministrit Edi Rama në konferencën për shtyp. “Duhet parë edhe situata mbi sigurimet shoqërore për të arritur një dakordësi për njohjen për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali. Do vazhdojmë në këtë bashkëpunim për të intensifikuar marrëdhëniet. Qeveria shqiptare është e ndërgjegjshme për rritjen e numrit të italianëve në Shqipëri, firmat private që operojnë në Shqipëri, që drejtohen nga italianë. Kemi arritur që të bashkëbisedojmë dhe për dhënien prioritet të firmave italiane që operojnë në vendin tonë. Kemi diskutuar për arbëreshët që jetojnë në Itali. Është një vlerë e shtuar kulturore e shtetit italian për morinë e vlerave kulturore që paraqet Italia”, theksoi Rama. Dy ditë më parë Italinë e vizitoi edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Mendohet se kryeministri italian mund të propozojë në takimin e nëntorit të liderëve të BE-së propozimin për çeljen e negociatave për dy shtetet që u refuzuan nga takimi i Këshillit Europian më 17-18 tetor. Vizita e fundit e kryeministrit Rama në Romë ishte në tetor 2017, kur Italia drejtohej nga kryeministri Paolo Gentiloni. Ndërsa kryeministri aktual Conte vizitoi Tiranën pikërisht në ditët kur Këshilli priste të shpallte vendimin zyrtar për negociatat, ku vetoja e presidentit francez Emmanuell Macron solli bllokimin për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




