Fjalët e Antonio Conte pas finales së humbur të Europa League lënë pak vend për interpretim. Trajneri vështirë se do të jetë në stolin e Interit sezonin e ardhshëm. Vendimi do të merret brenda disa ditësh, me një mendje të freskët, por ai ishte i qartë: ‘’Kemi vizione të ndryshme. Nuk më kanë pëlqyer disa situata dhe ka një kufi për gjithçka. Sidoqoftë, falënderoj ata që më dhanë mundësinë të drejtoj Interin, ia vlejti. I përshëndes të gjithë’’.

Conte, pas shpërthimit disa javë më parë, ishte më i qetë, por prapë goditi në shenjë: ‘’Do të takohemi brenda dy ose tre ditëve në Milano dhe do të marrim vendimin më të mirë për Interin, me ose pa mua. Ne përfundimisht do të përpiqemi të planifikojmë për të ardhmen. Nuk ka hakmarrje dhe urrejtje me drejtuesit, por thjesht vizione të ndryshme. Ky sezon ka qenë shumë i vështirë dhe ka pasur situata që nuk më pëlqyen. Disa ditë pushime dhe më pas do të shihemi me njëri-tjetrin’’. Përshtypja është se pas tre ditësh Marotta dhe Zhang do të flasin për trajnerin e ardhshëm dhe jo për merkaton.

Sidoqoftë, sezoni ishte pozitiv dhe Conte dëshironte të falënderonte lojtarët e tij: ‘’Ata dhanë gjithçka. Ata punuan shumë dhe u rritën në një mënyrë të rëndësishme, ata arritën në finalen e Europa League dhe shumë ishin në përvojën e tyre të parë në Evropë. Të rinjtë kanë fituar eksperiencë’’.
Në finalen e humbur, analiza e tij ishte e kthjellët: ‘’Një ndeshje e ekuilibruar e vendosur nga një episod në pjesën e dytë. Ne humbëm dy raste për gol dhe ata shënuan. Ne kishim më shumë energji në këmbët tona, por më pak përvojë. Kjo ishte vendimtare’’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




