Futboll

Conference League 24/25, Betis-Chelsea, në Wroclaw për historinë

Real Betis është në kërkim të trofeut të parë Evropian përballë Chelsea-t që kërkon trofeun e 9 (për tu bërë skuadra e vetme që fiton të gjithë trofetë evropianë). Skuadrat do të përballen në Finalen e UEFA Conference League, sot në Wrocław. Për spanjollët është Finalja e parë por në rradhët e tyre eksperienca nuk mungon. Mjafton të përmendim mesfushorin 33 vjeçar Isco (fitues i 4 UEFA Champions League me Real Madrid), sulmuesin 34 vjeçar Cédric Bakambu dhe trainerin Manuel Pellegrini që vijnë me njohuri të mira mbi futbollin anglez.

Pellegrini u shpall Kampion në Premier League në drejtimin e Manchester City-t në sezonin 2013/14 dhe ishte në stolin e West Ham (kur Maresca që tani drejton Chelsea-n, ishte asistent i tij). Gjithashtu te Betis luan një fitues i Conference League – mesfushori Pablo Fornals ishte pjesë e West Ham në sezonin 2022/23. Traineri aktual i Chelsea-t, filloi karrierën si trainer me të rinjtë te Manchester City dhe nën udhëheqjen e Pep Guardiola-s, mësoi filozofinë e njëjtë të zotërimit dominues të topit.

Mirëpo as te “Blues” nuk mungon talenti, ndërsa ata me eksperiencë relative ishin bërthama e suksesit të deritanishëm në Conference League – mëngjërashi Marc Cucurella si dhe mesfushorët Kiernan Dewsbury-Hall, Jadon Sancho dhe Christopher Nkunku kanë mbajtur peshën e skuadrës në këtë kompeticion. Chelsea fitoi 11 nga 12 ndeshjet e sezonit në Conference League, ndërsa Betis fitoi vetëm gjysmën e 14 të zhvilluarave (3B, 4H).

“Blues” shënuan 8 gola, 8 më shumë se Fiorentina e vendit të dytë dhe 16 më shumë se Betis (që luajti dy ndeshje më shumë se Chelsea). Në terma personalë, Bakambu shënoi 7 gola këtë sezon në Conference League (vetëm Afimico Pululu nga Jagiellonia qëndron përpara tij). Ndërsa mbrojtësi i spanjollëve, Natan, ka zhvilluar 1204 minuta në Conference League, 124 më shumë se çdo futbollist tjetër këtë sezon.

Formacionet e mundshme
Betis: Adrián; Sabaly, Bartra, Natan, Rodríguez; Cardoso, Fornals; Antony, Isco, Ezzalzouli; Bakambu
Në dyshim: Ezequiel Ávila, Lo Celso, Fran Vieites, Sabaly
Mungojnë: Bellerín, Diego Llorente, Marc Roca

Chelsea: Jørgensen; James, Adarabioyo, Badiashile, Cucurella; Caicedo, Dewsbury-Hall; Madueke, Palmer, Sancho; Jackson
Në dyshim: Nkunku, Guiu
Mungojnë: Wesley Fofana, David Fofana, Kellyman


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë