Politike

Çoi vulën në Gjykatën e Lartë/ Indrit Sefa i bën shërbimin e fundit Bashës: Nga sot shkëpus rrugëtimin politik me të dhe me PD

Indrit Sefa, Sekretari Ligjor i PD-së kur drejtohej nga Lulzim Basha, ka dhënë dorëheqjen nga politika. Me kalimin e fundit të vulës tek Sali Berisha, Sefa i bëri edhe shërbimin e fundit Lulzim Bashës duke e cuar vulën e partisë në Gjykatën e Lartë.

Pas këtij akti, Sefa njoftoi se do të shkëputet nga Lulzim Basha dhe politika.

“Sot në zbatim të dispozitave ligjore dhe brenda afatit depozituam REKURS-in ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për çështjen e vulës dhe simboleve të PD. Si jurist, mendoj se vendimi i Apelit ishte i padrejtë dhe i marrë në kundërshtim me ligjin dhe detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë.

Personalisht mendoj se qoftë si avokat apo anëtar i një force politike, duhet të kemi një standard për qëndrimet ndaj vendimit të Gjykatave. Ato nuk duhen komentuar në asnjë rrethanë dhe aq më tepër të përgojohet trupi gjykues. Këtë standard kam ndjekur dhe për vendimin e Gjykatës së Apelit. Profesionalisht jam i detyruar që çdo kundërshtim që kam në lidhje me vendimmarrjen ta paraqes sipas rrugës ligjore, konkretisht me anë të rekursit që u depozitua sot me miratimin e z.Basha.

Dorëzimi i rekursit shënoi dhe aktin tim të fundit politik. Kam vendosur që rrugëtimi im politik të mbyllet këtu. Ky vendim vjen si një reflektim i gjatë dhe i vështirë për mua, por i domosdoshëm për kushtet dhe rrethanat...”, shkruan Sefa

Sefa nënvizon se nuk mund të bashkohet as me PD aktuale.

“Personalisht e kam të pamundur të përfshihem në atë grupim njerëzish që sot mbajnë simbolet e PD-së e me të cilët nuk ndaj të njëjtat vlera njerëzore dhe qytetarie apo koherencë politike. Për mua politika duhet të mbartë vlera dhe moral e madje duhet të udhëhiqet prej tyre. Për sa kohë nuk i shoh dhe gjej këto vlera në PD-në që zotëron simbolet, nuk mund të jem pjesë e saj”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë