Trashëgimi

Codex Aureus Anthimi i Beratit / Dokumenti unik i llojit të tij në botë

Nga Sokol Çunga– Sa herë përmendet qyteti i Beratit, menjëherë vjen në mendje fraza “Kodikët e Beratit”. Në mendjen e gjithkujt që njeh qytetin apo njihet me të pas vizitës, Berati dhe kodikët, kodikët dhe Berati, kthehen në simbiozë.

Në inventarin e Fondit “Kodikët e Shqipërisë” me nr. 488 të Arkivit Qendror Shtetëror dorëshkrimi mban emërtesën “Kodiku i Beratit nr. 2”. Ndryshe emërtohet dhe Codex Aureus Anthimi, kodiku i artë i Anthimit, siç e pati quajtur studiuesi Pierre Batiffol, kur vizitoi Beratin më 1885 dhe i dha këtë emërtim për nder të Anthim Aleksudhit, mitropolitit të Beratit në atë kohë.

Dorëshkrimi përmban tekstin e katër Ungjijve shkruar në greqishten biblike. Vëllimi përmban 420 fletë të shkruara në pergamenë që dikur ka qenë e purpurt, pavarësisht ngjyrës që ka sot. Ndryshimi i ngjyrës ka ndodhur për shkak të dëmtimeve të jashtme apo zhvillimeve të brendshme kimike të lëndëve të përdorura në prodhim.

Fletët kanë përmasa 24 x 19 cm. Teksti është shkruar në 1 kolonë, në 17 reshta për çdo fletë me shkrim germëvogël. Boja e tekstit nuk është e zakontë, por ar i pastër. Po ashtu, përpara fillimit të çdo ungjilli dorëshkrimi ka pasur dhe katër miniaturat e katër ungjillorëve, nga të cilat sot kemi tre, atë të ungjillorëve Mark, Luka dhe Joan.

Të gjitha miniaturat janë punuar me ar. Kurse përmbi fillimin e çdonjërit ungjill paraqitet një dekor mbititullor i punuar, po ashtu, me ar. Teksa dimë se ngjyra e purpurt në dokumente, libra dhe veshje ishte privilegj vetëm i familjes perandorake dhe perandorit, vendi i prodhimit është Konstandinopoja ose punishtet e shkrimit në brigjet e Azisë së Vogël që merrnin porosi nga perandori.

Dorëshkrimi nuk mban datë, por nga analiza paleografike e shkrimit, nga krahasimi me dorëshkrime të ngjashme dhe nga të dhënat historike, kuptojmë se koha e prodhimit të tij është gjysma e dytë e shek. IX (pas Krishtit).

Në vitin 867 në krye të Bizantit vjen Vasili I i familjes fisnike të Maqedonëve, duke u bërë i pari perandor i dinastisë së Maqedonëve në fronin e Konstandinopojës. Vasili risolli në përdorim të përditshëm dhe imazhet e shenjtorëve përmes ikonave, afreskeve apo librave, të cilat ishin ndaluar prej paraardhësve të tij, Dinastisë së Ikonoklastëve, thyesve të ikonave. Dorëshkrimi ynë ka imazhe, kështu dimë datën post quem të prodhimit të dorëshkrimit: viti 867. Ndërsa mënyra me të cilën është shkruar, një stil shkrimi që nuk haset pas fundit të shek. IX, na jep dhe datën ante quem.

Ashtu si dhe Beratinus 1, edhe ky dorëshkrim u rizbulua i fshehur në kishën e Fjetjes së Hyjlindëses, sot Muzeu Onufri, në Berat, dhe u restaurua në Kinë më 1971.

Dorëshkrimi u gjet brenda dy kapakëve që nuk datojnë në kohën e prodhimit të dorëshkrimit, por më vonë. Janë kapakë punuar në metal të larë në ar, me gjasë prodhuar nga artizanë Beratas në vitin 1805.

Mirëpo, ka edhe më. Këto tipare të dorëshkrimit, pra: pergamenë e purpurt, tekst i 4 Ungjijve shkruar me germa të arta, miniatura dhe dekore mbititullore punuar me ar, prodhuar gjatë periudhës së dinastisë Maqedonase, që njihet dhe si “Rilindja Maqedonase” janë tipare që nuk i ka asnjë dorëshkrim tjetër në botë. Kodiku i purpurt i Beratit nr. 2, ose Codex Aureus Anthimi është unik i llojit të tij në botë!

Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist shqiptar


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë