Një peticion ka nisur kundër Coca-Cola, Danone (pronar i Evian, Activia etj) dhe Nestle nga një organ në mbrojtje të konsumatorit dhe dy grupe mjedisore në Europë.
Peticioni akuzon kompanitë se po mashtrojnë konsumatorët për të blerë një produkt i cili shitet si miqësor ndaj klimës ose i qëndrueshëm, i njohur si ‘greenwashing’ (manipulim me produktet eco-friendly) me sloganin 100% i riciklueshëm.
Organizata Europiane e Konsumatorit, e mbështetur nga grupet mjedisore Client Earth dhe ECOS, pretendon se shishet nuk janë bërë kurrë tërësisht nga materiale të ricikluara.
Coca-Cola tha se është lehtësisht e vërtetueshme se shishet e saj janë të riciklueshme, Nestlé tha se po reduktonte përdorimin e ambalazheve plastike dhe Danone tha se po investonte në riciklim.
Kompanitë akuzohen për greenwashing kur shesin/reklamojnë diçka si më miqësore ndaj mjedisit, të gjelbër ose të qëndrueshme sesa është në të vërtetë. Mund të mashtrojë konsumatorët që shpresojnë të ndihmojnë planetin duke zgjedhur ato produkte.
Ankesa në Komisionin Europian fokusohet në pretendimet e kompanive se shishet plastike njëpërdorimshe që ato përdorin janë 100% të riciklueshme.
Organizata Europiane e Konsumatorit, e mbështetur nga grupet mjedisore Client Earth dhe ECOS, tha se ky është mashtrim, veçanërisht kur shoqërohet me imazhe ose ikona të gjelbra.
Nëse Komisioni Europian pajtohet me peticionin, mund të organizojë një përgjigje të koordinuar midis autoriteteve kombëtare të konsumatorit, të cilët më pas mund të ndërmarrin veprime.
Kjo mund të përfshijë kërkesën nga kompanitë për të korrigjuar situatën, ose vendosjen e gjobave brenda kufijve të tyre. Komisioni nuk ka kompetencë të vendosë dënime vetë./BBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.