Ne rrjet

Ç’ndodhi në Crans-Montana? Zjarri në bodrum, ‘shpërthimi i shpejtë’, dalja e vetme! (dinamika)

Flaka u përhap me shpejtësi në të gjithë ambientet. Autoritetet përjashtojnë një sulm. Mundësia e qirinjve në shishet e shampanjës dhe pyetjet në lidhje me masat e sigurisë

Gazeta Si – Besohet se një zjarr është përhapur me shpejtësi në bodrum, duke shkaktuar shpërthime dhe zjarre të tjera që e transformuan të gjithë dhomën e barit “Le Constellation” në një mangall të ndezur.

Kjo i la dhjetëra të rinj që festonin natën e Vitit të Ri pa asnjë shans dhe dyshohet të jetë dinamika e tragjedisë së Crans-Montanas në Zvicër, e cila në orën 1:30 të mëngjesit më 1 janar 2026, la 47 persona të vdekur dhe 100 të plagosur.

Kështu e përshkroi dinamikën e dyshuar të tragjedisë, Këshilltari i Shtetit, Stéphane Ganzer për televizionin zviceran.

Hetuesit po punojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes së rëndë, duke mbledhur dëshmi nga ata që ishin në vendngjarje.

Sigurisht që nuk ishte një sulm: Prokurorja e Përgjithshme, Beatrice Pilloud e përjashtoi “absolutisht” këtë mundësi gjatë konferencës së parë për shtyp.

Pra, çfarë e shkaktoi zjarrin shkatërrues? Dhe si u përhapën flakët kaq shpejt nga bodrumi në katin përdhes të restorantit, duke i zënë në kurth kilentët?

Teoritë fillestare përfshinin fishekzjarre ose kapsolla që shpërthyen brenda, siç deklaroi ambasadori italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado, dhe madje edhe qirinj të shndritshëm të ndezur nga kamerierët në shishe shampanje, por autoritetet hetuese nuk i konfirmojnë këto të dhëna.

Një tjetër pistë që po hetohet për të kuptuar ashpërsinë e tragjedisë dhe numrin e viktimave, janë masat e sigurisë në bodrum dhe materialet e përdorura pas rinovimit të fundit: pse nuk u aktivizuan sistemet e parandalimit të zjarrit në kohë?

Dhe pse të rinjtë mbetën të bllokuar? A kishte vërtet vetëm një dalje dhe madje një të ngushtë, siç sugjerojnë disa dëshmitarë? Çdo hipotezë po vlerësohet me kujdes.

Deklaratat nga të pranishmit ndihmojnë në sqarimin e rrethanave. Një dëshmitar, Jeoffroy D’Amecourt, me sa duket e mohoi teorinë e fishekzjarrëve: ai i tha Radios dhe Televizionit Zviceran se dëgjoi “një shpërthim shumë të fortë, rreth orës 1:30 të mëngjesit, dhe nuk dukej të ishte shkaktuar fare nga fishekzjarrët; zhurma ishte vërtet ndryshe”.

Por është gjithashtu e vërtetë se shpërthimi, ose më saktë, shpërthimet e shumta, ndodhën pasi zjarri kishte filluar tashmë.

Ajo që duket e sigurt, është se flakët përfshinë menjëherë skenën e mbushur me njerëz që festonin: të paktën 200 persona në një vend relativisht të vogël.

Zëvendëskryetarja e Bashkisë së Asconës, Michela Ris, e cituar nga mediat zvicerane, deklaroi: “Të njohurit më thanë se disa të rinj u larguan nga vendi të gjakosur, disa pa rroba; ishte një tragjedi e vërtetë”.

Ndër dëshmitë që kontribuojnë në rindërtimin e ngjarjes, është ajo e dy të rinjve francezë të përfshirë në zjarr: ata i thanë BfmTv se flakët filluan me disa qirinj ditëlindjeje të ndezur nga kamerierët në shishe shampanje pak para mesnatës.

“Njëri u mbajt shumë afër tavanit, i cili mori flakë. Brenda pak sekondash, gjithçka u ndez, tavani ishte bërë prej druri”.

Një tjetër dëshmi nga një turist, konfirmoi praninë e yjeve të shndritshëm të ndezur në shishe: njëri prej tyre, tha ai, u mbajt në dorën e një vajze të ulur mbi supet e një të riu dhe shkëndijat ndezën menjëherë një copë ose tra në tavanin e varur – me shumë mundësi të bërë prej druri ose një materiali tjetër të ndezshëm – dhe u përhapën shpejt në të gjithë dhomën.

Dhe pastaj është çështja e hapësirës së ngushtë: “Dera e daljes ishte shumë e vogël për të gjithë njerëzit e pranishëm. Dikush theu një dritare që njerëzit të shpëtonin”, rrëfyen më vonë dy gratë në një intervistë me televizionin francez, duke shpjeguar se ndihma mbërriti “brenda pak minutash”.

Dëshmitarë të tjerë konfirmuan ikjen kaotike nga ambientet që po digjeshin, me dritare të thyera për të hapur një rrugë përmes një daljeje të vetme të ngushtë.

Në konferencën për shtyp të mbajtur nga Prokurorja Pilloud, ajo nuk u dha detaje, por konfirmoi se shkallët e daljes ishin të ngushta.

Për të përshkruar dinamikën e zjarrit, autoritetet kantonale zviceriane, u thanë mediave lokale se brenda vendit të Crans-Montanas ndodhi një “shpërthim i shpejtë”, një “fenomen shumë i rrezikshëm në të cilin zjarri përhapet papritur dhe dhunshëm nëpër hapësira të mbyllura, duke shkaktuar një ose më shumë shpërthime”.

Ky term i referohet kalimit të papritur nga një zjarr i lokalizuar, në një vatër të përhapur gjerësisht. Një zjarr mund të fillojë, për shembull, në një pajisje në një dhomë dhe nëse nxehtësia grumbullohet nën tavan, gazrat e djegies përhapen në të gjithë hapësirën, duke e rritur me shpejtësi temperaturën në disa qindra gradë.

Ky efekt mund të shkaktojë ndezjen e papritur dhe të njëkohshme të materialeve të tjera të djegshme, siç janë ato në një tavan të varur, duke bërë që flakët të përhapen me shpejtësi. Në atë pikë, mbijetesa është praktikisht e pamundur.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë