Nga Gazeta ‘Si’- Endri Shabani humbi në zgjedhje por fitoi karrigen e avokatit.
Madje jo të një avokati dosido, por të popullit.
Fotoja e tij në qoshen e djathtë të kuvendit duke u betuar, falenderuar e puthur me radhë socialistë e demokratë do të mbahet mend.
Që prej mëngjesit, kur pas mesnate ishte zgjedhur Avokat Populli, Endri Shabani falenderoi publikisht Partinë Socialiste për votat që i dhanë në Kuvend.
Veçanërisht ai shkruante se vlerësonte faktin që PS-ja, sipas tij, dukshëm kishte treguar nivel më të lartë politik krahasuar me PD-në.
Njëherazi, tha se ishte krejt i habitur nga vendimi i opozitës për të tërhequr firmat dhe për të mos e votuar.
Për ata që nuk i kanë ndjekur me vëmendje qëndrimet dhe linjën politike të tij, statusi i shkruar dukej një qëndrim politikisht korrekt dhe formalisht i saktë.
Një bashkëpunim institucional që shpëtoi Kuvendin nga një ngërç.
Për ca syresh të tjerë, të cilët i kanë lexuar e dëgjuar epitetet e tij për Ramën dhe PS-në, ai postim bërtiste hipokrizi.
Për vite me radhë, me idealizëm politik Endri Shabani e ka ‘shitur’ veten e tij si tribuni i anti-semitikëve.
Një zë që flet në emër të atyre që janë kundër sistemit politik ekzistues, përfaqëson qytetarët e zhgënjyer nga partitë e vjetra dhe shfaqet si alternativa më e mirë ndaj elitës politike.
Sa në studio televizionesh po aq në sheshe protestash e podiume, Endri Shabani nuk e ka kursyer asnjëherë të vetme Edi Ramën.
E ka akuzuar se ka kapur shtetin, e ka shpallur autokrat, e ka quajtur ‘kancer’ të politikës shqiptare, arkitekt të së keqes të këtij vendi dhe figurë të lidhur me korrupsionin.
Për të, Rama ishte simbol i fatkeqësisë që duhej shkulur, jo shërbyer.
Por sot, kalimi nga “nuk bëjmë kurrë koalicion me Ramën” te “faleminderit për besimin”, u duk i kollajtë.
Gjesti i tij nuk mund të lexohet si mirësjellje institucionale, por si lëvizje pragmatike që vë në pikëpyetje koherencën e parimeve që ka shpallur më parë.
Për më tepër, koha strategjike e falenderimit, kur sapo kishte siguruar karrigen, lë të kuptohet se nuk i intereson fort për kontrastin e thellë të asaj që tha dje dhe asaj që bëri sot.
Madje, fakti që nuk iu përgjigj akuzave të opozitës e cila e akuzoi për një pazar mes tij dhe Ramës dhe tha se emërimi i tij ishte politik, ushqen perceptimin se e gjithë retorika e vjetër e tij ishte pozë, ndërsa interesi aktual ishte posti.
Megjithatë, në Shqipëri kthesa të tilla politike nuk janë të jashtëzakonshme. Në këtë vend mbi politikën ka një ligj më të fortë i cili lë tipikisht në hije idealizmat: ligji i karriges së ngrohtë.
Për opozitën, e cila sot shkaktoi kaos në Kuvend që Shabani të mos kryente betimin, ai pati vetëm një përgjigje: një puthje me dorë në distancë.
Nuk dukej si një puthje lamtumire por si një premtim për kthim me mall.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




