Çmimi Nobel në fiziologji apo mjekësi u shpall të hënën dhe iu dha tre fizikantëve shkencëtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, William G. Kaelin Jr., Peter J. Ratcliffe dhe Gregg L. Semenza “për zbulimet e tyre se si qelizat e ndjejnë dhe përshtaten me oksigjenin”.
Këto zbulime nga treshja hodhën dritë mbi “një nga proceset më thelbësore adaptive të jetës”, siç e quajti komisioni i Nobel-it. Ato dhanë përgjigje mbi pyetje të thella për mënyrën se si funksionon trupi apo dhanë mënyra të tjera terapike për të kuruar kancerin dhe sëmundje të tjera.
Tre shkencëtarët, duke punuar në mënyrë të pavarur, zbuluan rrugëtimin se si ngjarjet molekulare lejojnë qelizat që të zbulojnë dhe të përgjigjen në nivele të ndryshme të oksigjenit. Kjo gjë e lejon trupin të përdori më pak ajër në lartësi më të madhe duke prodhuar më shumë qeliza të kuqe gjaku për të mbajtur oksigjenin. Por ka mundësi që të ndikojë dhe për keq tek një sëmundje duke shkaktuar nevoja të tjera për trajtim : Qelizat e kancerit shfrytëzojnë këta ndërprerës molekularë për tu shtuar, për shembull, rritja e tolerancës së qelizave të oksigjenit mund të ofrojë një mënyrë për të trajtuar atakët në zemër dhe goditjet e trurit.
“Nëse mendon për shkaqet kryesore të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara, 3 nga 5 janë të lidhura me mungesën e oksigjenit”, duke përfshirë atakët në zemër, goditjet në tru dhe sëmundjet e frymëmarrjes, tha Isha Jain, një shkencëtare e cila u inspirua nga vepra e cila fitoi çmimin Nobel. “Të kuptosh se si trupi e ndjen dhe i përgjigjet nivelit të ulët të oksigjenit është e domosdoshme për të gjitha këto sëmundje”, tha ajo.
Semenza, një profesor gjenetike në Universitetin Johns Hopkins i tha një auditori me kolegë dhe studentë se frymëzimi i tij për shkencën ishte një mësuese biologjie në gjimnaz, Rose Nelson, e cila tashmë nuk jeton më. “Ajo na thoshte ne, ‘Kur të fitoni çmimin Nobel, nuk dua ta harroni që ju e mësuat atë këtu’. Ajo mendonte se njëri nga ne do ta fitonte atë”, tha Semenza. “Ajo ishte inspirimi im, dhe mendoj që kjo është rëndësia e mësuesve, që të shërbejnë për ta ushqyer atë shkëndijë”.
Kaelin, një shkencëtar në Insitutin e Kancerit Dana-Farber në Boston, tha në një intervistë telefonike se ai u zgjua në orën 5 të mëngjesit nga telefonata duke menduar fillimisht se ishte një ëndërr. “Zemra po më rrihte nga pabesia”, tha Kaelin.
Ndërsa Ratcliffe, drejtor i kërkimeve klinike në Insitutin Francis Crick në Londër, po shkruante një propozim monetar kur mori telefonatën.
Puna filloi në vitet 1990, kur Semenza identifikoi gjenet që ndizeshin kur nivelet e oksigjenit ishin të ulët për të rritur nivelet e ‘erythropoietin’, një proteinë e cila rrit prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut të cilat mbajnë oksigjen. Është e njëjta ide si atletët që përdorin drogëra për të rritur furnizimin me qeliza të kuqe gjaku që mbajnë oksigjen. Një ilaç anemie që rrit qelizat e kuqe të gjakut duke shënjuar këtë mekanizëm bazik u aprovua së fundmi në Kinë.
Shkencëtarët punuan në mënyrë të pavarur për të kuptuar mekanizmin e qelizave, por ata flisnin ndonjëherë dhe shpërndanin të dhëna, ndonjëherë në një takim shkencëtarësh, ndonjëherë në ndonjë lokal, tha Kaelin.
Kimioterapia apo trajtimet me rreze vrasin qelizat e tumorit në periferi, jo ato në qendër të cilat janë përfshirë në një mjedis me nivel të ulët oksigjeni, tha Qing Zhang, një shkencëtar i Qendrës Mjeksësore në Universitetin e Texas-it, i cili më parë ka punuar në laboratorin e Kaelin. Ato qeliza që mbijetojnë mund të shpërndahen për të krijuar kancer të ri, dhe kjo është një nga sfidat më të mëdha më të cilat përballen pacientët dhe onkologët.
“Pyetja bazike është se si qelizat e kancerit i mbijetojnë mungesës së oksigjenit, dhe se si ajo ç’ka nuk i vret ato mund ti bëjë më të fortë”, tha Zhang.
Rendall Johnson, një anëtar i Asamblesë Nobel, e cilësoi makinerinë molekulare që shkencëtarët zbuluan si diçka që sigurohet gjithmonë që trupi ka nivelin e duhur të oksigjenit.
Kaelin tha se ai dhe shkencëtarët e tjerë shpresonin por nuk ishin të sigurt që zbulimi se si qelizat e ndjejnë oksigjenin mund të sillte ide të reja për trajtime të sëmundjeve, duke përfshirë goditjet në tru apo kancerin. Kaelin dhe Semenza morën fonde nga Insituti Kombëtar i Shëndetit.
“Kur ti po bën shkencë të vërtetë, duhet të jesh i përgatitur për kudo që të të çojë rruga, dhe nëse po bën shkencë, është e vështirë ta imagjinosh se ku mund të të çojë rruga”, tha Kaelin.
Të tre shkencëtarët do ndajnë së bashku shumën prej 900000 dollarësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.