Çmimet e naftës në tregun botëror kanë zbritur këto ditë në nivele rekord. Nafta bruto Brent tregtohet me 19.77 dollarë për fuçi ndërsa cmimi i naftës bruto WTI për herë të parë kapi çmime nën zero, e paparë kjo ngjarje që prej nisjes të tregtimit të saj për herë të parë më 1983-shin.
Rënia nisi kur mosmarrveshjet mes Rusisë dhe Arabisë Saudite për të ulur furnizimin e naftës u molesën së bashku me problemet që krijoi pandemia e COVID-19. Nga fillimi i këtij viti e deri tani çmimi naftës Brent (të cilës i referohet edhe Shqipëria) ka rënë me rreth 66%.
Por në Shqipëri rënia e çmimit të naftës në pikat e shitjes me pakicë ka qenë e lehtë. Gazeta “Si” ka vërejtur çmimet dhe llogariti se që prej janarit çmimi i naftës është larg trendit ndërkombëar. Ai që prej janarit ka rënë mestarisht me vetëm 10 për qind.

Në përpjekje për të marr një shpjegim ne biseduam me përfaqësues të shitjeve me shumicë të karburanteve në Shqipëri të cilët na thanë se për shkak të ligjit depozitat e tyre duhet të kenë gjithnjë një sasi rezervë sa tre muaj konsum.” Këto depozita janë të mbushura me naftë të blerë kur çmimi ishte më i lartë, 47 lekë për litër”, na treguan importuesit ndaj sipas tyre nuk janë ulur kaq shumë në raport me çmimet aktuale në tregun ndërkombëtar. Efekti i tyre do të duhet të ndihet më vonë nëse çmimet vazhdojnë të qëndrojnë të ulëta.
Çmimi i shitjes me pakicë të karburanteve mund të ishte më i lirë. Por, kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, është shrehur se Shqipëria ka taksa të larta ku vetëm akciza kushton 37 lekë për cdo litër, taksa e qarkullimit 27 lekë për litër, dhe TVSh-ja e cila është rreth 32 lekë për litër. Krahas këtyre kostove fikse zoti Aliaj përmend e taksat e markimit, skanimit, pompave të karburantit e riliçensimit ku të gjitha të marra së bashku e 2-3 fishojnë çmimin e naftës në tregun e pakicës dhe nuk lenë që çmimi të zbresë më shumë.
Nëse do të duhej që sot Shqipëria të përfitonte nga çmimet e rëna në nivele rekord do të duhej, të paktën në mos një ulje e taksave (ndonëse e pamundur kjo në kushtet e rënda të buxhetit për shak të mbylljes së bizneseve dhe rënies së konsumit), do të duhej një rritje apo gjetje e mundësisë për të depozituar më shumë naftë me çmimet e reja më të lira. Por a kemi ne mundësi që të rrisim aftësinë magazinuese duke përshatur apo përdorur edhe mjedise alternative ?
Gjergji Bojaxhi, ish zëvendës ministër i energjisë dhe sot një sipërmarrës në fushën e karburanteve thotë se vendi ynë nuk e ka infrastrkturën dhe logjistikën e duhur për të ruajtur nivele shtesë të naftës. “Por dhe sikur ta ketë, nëse çmimet qëndrojnë ulur për kohë të gjatë tregtarët nuk kanë leverdi për të bllokuar likuditetin dhe paguar kuotat e larta të magazinimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



