Ekonomi

Çmimi i naftës, Malaj: 8 lekë zbritje kur kalon 220 lekë/litër

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një dalje për mediat, sqaroi se si do të funksionojë ulja e akcizës në çmimin e naftës.

Ai tha se për çdo litër nafte, kur çmimi kalon vlerën e 220 lekëve, do të zbritet 8 lekë, në bazë ditore. Malaj theksoi se nëse vlerësohet e nevojshme, qeveria do të hartojë dhe një paketë ndihme për shtresat në nevojë.

“Procesi i gjurmimit, do të ndodhë nëpërmjet kompanisë shtetërore, ‘Albtrace’, që do të markojë karburantin që do të tregtohet në territorin e Shqipërisë. paralelisht me këtë, edhe karburantet që kalojnë tranzit në Shqipëri, do të modifikohen me pulla digjitale që do të ndiqen nga momenti që hynë në Shqipëri e deri sa të dalin. Benefitet për qytetarët janë më të mëdha se kostot që mund të ketë”, tha ministri i Financave.

Drejtori i Doganave, Besmir Beja tha se do të kontrollohen sasitë e karburanteve nëpër subjekte për të krahasuar nëse lënda fizike përputhet me atë të raportuara.

“Markimi është elementi më i mirë, që na siguron se çdo litër karburant i shitur në treg, ka paguar çdo detyrim. Teknologjia është e papërdorur më parë në Shqipërisë. Kështu dallojmë nëse ka apo jo naftë kontrabandë në atë pikë”, sqaroi kreu i Doganave.

Më tej, ministri sqaroi se shumë shpejt do dalin dhe çmimet e referencës për pjesën tjetër të Shqipërisë.

“Çmimet e reja për pjesën tjetër të territorit janë ende në proces pune. Arsyeja që u shty ishte sepse u vërejtën diferenca midis çmimeve në Kadastër dhe atyre në zyrat e agjencive imobiliare. Rivlerësimi, mund të vazhdojë me vlerësues privatë. “

Duke përmendur nismën e Tatimeve për të monitoruar turizmin, ndërtimin dhe karburantet, Malaj njoftoi se do të nisë kontrolli për formalizimin e sektorit mjekësor dhe atij të kujdesit personal dhe estetik, të cilët konsiderohen me risk të lartë për evazion.

“Hapi i radhës do jetë kontrolli i sektori mjekësore dhe atij të kujdesit personal dhe estetik. Sektorë që e kemi identifikuar me risk të lartë dhe do jetë objekt i punës së administratës tatimore në muajt në vijim”, tha Petrit Malaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë