Treg

Çmimi i mobiljeve do të rritet përsëri. Kërkesa është e lartë, por mungon lënda e parë

Nga Megi Iskurti – Ndërtimet e reja në Tiranë kanë nxitur një numër të madh kërkesash për mobilje por mungesa e lëndës së parë nuk po i përmbush dot nevojat e tregut.

Furnizuesit thonë se po përballen më vështirësi të mëdha, sidomos në gjetjen e lëndës drusore e cila është reduktuar me gati 70%. Në një situtatë të tillë, ata shprehen për Gazetasi.al se po detyrohen që të importojnë mobilje të gatshme nga jashtë në mënyrë që të mos shkëpusin marrëdhënien me klientët.

Oferta e ulët por njëkohësisht kërkesa e lartë pas pandemisë nga vendet europiane i ka prekur prej disa kohësh prodhuesit e orendive, por efektet më të mëdha ata po i ndiejnë tani.

LEXO EDHE:
– Bllokimi i zinxhirëve të furnizimit në Kinë shkakton vonesa edhe në postat shqiptare
– A do të sforcohen vërtet zinxhirët e furnizimit nga izolimet e Kinës kundër Covid?

“Ne na duhen gati 10 paleta me lëndë drusore mirëpo me këtë mungesë lëndësh nuk po mundim dot të garantojmë as 20% të saj. Lëndët e para i importojmë kryesisht nga Hungaria, Bullgaria, dhe Italia pasi që pas karantinës nuk ia vlente më të furnizoheshe në Kinë. I gjithë furnizimi po jepet me sasi të reduktuara, të mos llogarisim pastaj vonesën e tyre”, thotë Alvi Laka për Gazetasi.al, punonjës në mobilerinë më të njëjtin emër.

Ai shton se kërkesa për mobilje është gati 15% më e lartë se vitin e kaluar sidomos nga ndërtimet dhe apartamentet e reja që po bëhen. Gjithashtu shprehet se nëse situata e furnizimeve do të vazhdojë kështu edhe për ca kohë, të gjithë prodhuesit vendas do të përballen akoma më shumë me vështirësi.

“Për çdo porosi që marrim druhemi nëse nuk do mundim dot të realizojmë për shkak të mungesave të lëndës së parë, varësisht materialit që ka kërkuar klienti. Po bashkëpunojmë kryesisht me mobileritë nga Fushëkruja, me prodhuesit nga fshati Nikël. Klientëve nuk po mundemi dot t’u dorëzojmë porositë në kohë dhe kjo sigurisht që ndikon negativisht në reputacionin e secilës mobileri”, tha mandej për Gazetasi.al ai teksa pohon se aktualisht në treg ka edhe mungesa të dorezave metalike apo materialeve të tjera që përdoren në brendësi të mobilieve.

Çmimet luhaten dhe rriten brenda ditës

Edhe nga “Alba Porte Industry” e cila merret vetëm me punimin e dyerve, punëtorët pohojnë të njëjtën gjë. Porositë janë të shumta por furnizimet janë të pakta.

“Materiali kryesor i cili na mungon ne është laminati dhe materiali i MDF-së. Për të ardhur i presim rreth një muaj. Luhatja e çmimeve brenda ditës është një tjetër çështje që na shqetëson. Nëse ne porosisim 2 ton MDF me një çmim të caktuar, ai rritet brenda ditës dhe furnitori na thotë që duhet të paguajmë diferencën nëse duam që të na nisë dërgesën”, thotë njëri nga administratorët.

Administratori nga “Trin Mobileri” thotë për Gazetasi.al se kjo mungesë furnizimesh, shtrenjtimi i lëndës së parë por njëkohësisht edhe tarifat e transportit i kanë rritur akoma më shumë çmimet e mobiljeve, të cilat deri tani janë 25-30% më të larta.

“Çmimet e lëndës drusore janë shtrenjtuar me gati 50% në tregun europian dhe çmimet e mobiljeve pritet që të rriten përsëri.

Kjo rritje nisi në fakt që vjet në shtator por do të vijojë edhe në pranverë, deri nga mesi i qershorit”, thotë ai për Gazetasi.al teksa shton se ky shtrenjtim çmimesh është ndikuar gjithashtu edhe nga shtrenjtimi i karburanteve, energjisë dhe rrjedhimisht pagesave të punonjësve.

Rritja në fakt po ndihet edhe në punishtet e vogla.

Marangozët e vegjël thonë se nuk po vuajnë nga mungesa e furnizimeve pasi ata nuk janë të varur drejtëpërdrejtë nga importi.

“Ne kryesisht lëndën e parë e sigurojmë nga tregu i brendshëm i shumicës të cilën e blejmë rreth 40% më shtrenjtë se viti i kaluar. Rrjedhimisht për të përballuar kostot jemi detyruar edhe ne që të rrisim çmimet. Më tej nuk i rrisim dot sepse kjo do të tkurrte menjëherë kërkesën”, thotë Pajtimi, një marangoz që punon pranë Bulevardit të Ri në Tiranë.

Prodhuesit vendas shprehen për Gazetasi.al se një tjetër faktor që ka ndikuar në bumin e kërkesës për mobilie veç ndërtimit, kohët e fundit është edhe sektori i turizmit.

Ata thonë se me ndërtimin e resorteve të reja por edhe bar-eve dhe restoranteve që janë hapur në brendësi apo në pika të ndryshme turistike, porositë për mobilie sa vijnë dhe rriten.

“Arredimi ka peshë të lartë sidomos në strukturat e hapura sëfundmi. Interesi për blerjen e mobilieve në këtë periudhë është i lartë jo vetëm nga qytetarët por edhe nga bizneset.

Kemi patur shumë kërkesa për arredimin e bar-eve të reja aq sa siç e theksova, nuk po mundemi dot që t’i përballojmë”, shton ndër të tjera Laka për Gazetasi.al.

Sektori i prodhimit të mobilieve ishte ndër të parët që në 2020, pas përfundimit të karantinës tremujore, arriti të rikuperojë shumë shpejt kërkesën. Në karantinë, shitjet e mobilieve u ulën 60%. Aktorë të tregut pohuan se menjëherë pas hapjes së ekonomisë vërshoi kërkesa për mobilim të mjediseve të banimit dhe bizneseve. Shitjet e orendive të drurit në vitin 2020 ishin 10% më tepër se në 2019-n.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë