Treg

Çmimi i miellit po fluturon, ‘embargoja’ serbe do ta rrisë edhe më tej. Shqipëria importon 36% të grurit

Shqipëria importon nga Serbia rreth 36 për qind të sasisë së nevojshme të grurit dhe miellit që nevojitet për plotësimin e nevojave të tregut vendas.

Për këtë arsye, vendimi i Serbisë për të ndaluar eksportin e grurit dhe të miellit në vendet e tjera pritet që të nxisë një rritje të pashembullt të çmimit të bukës në vend, nisur nga fakti që importuesi i parë në vend është Rusia dhe një pjesë e mirë e pjesës tjetër importohet nga Ukraina.

Deri para këtij vendimi të Serbisë, çmimi i miellit në Shqipëri ishte rritur me 2.5 herë, duke flutuar nga 50 lek që ishte dy javë më parë, në 120 lek për kilogram, sa po shitet aktualisht.

Situata më problematike shfaqet te tregtarët e dorës së dytë dhe të tretë, të cilët vetë furnizohen nga importuesit e mëdhenj të miellit. Nga një vëzhgim në treg i Gazetës Si tregtarët shfaqin shqetësime për vonesa të porosive, sidomos nëpër rrethe dhe qytetet e vogla.

Në këto zona, një kuintal miell është blerë nga tregtarët me 92 mijë deri në 96 mijë lek, ose 92 deri në 96 lek për kilogram. Këtë miell të blerë, ata po e shesin aktualisht nga 118 mijë, deri në 120 mijë lek kuintali.

Por, çmimi nuk është as i vetmi dhe as problemi më i madh. Problemi kryesor, sipas tregtarëve të dorës së dytë është mungesa e produktit në treg. Ata thonë se kanë marrë deri në 10 ditë me vonesë porositë e bëra te kompanitë e mëdha në Tiranë.

“Na kanë vonuar dërgesat, se importuesit e mëdhenj po mbushin njëherë magazinat e tyre me miell dhe grurë për t’i shitur me çmime më të larta. Çmimi i miellit po rritet çdo ditë. Dy javë më parë ishte 50 mijë deri në 54 mijë lek kuintali. Sot ka shkuar në 120 mijë lek dhe do të vazhdojë të rritet”, thotë për Gazetën Si një tregtar i miellit në rrethin e Elbasanit.

Ai parashikon që pas vendimit të Serbisë për të bllokuar eksportin e grurit dhe të miellit, çmimi 15 mijë lek për kuintal të shkojë brenda pak ditësh.

Gjatë vitit 2021, një kilogram grurë u importua për një shifër mesatare prej 37 lekësh për kilogram, ndërkohë që në vitin 2020, kjo vlerë fiksohej pranë 30.59 lekëve për kilogram, pra në rritje me thuajse 21 për qind, gjë që më pas u reflektua edhe në tregun vendas, me rritjen e çmimit të bukës dhe produkteve të tjera me bazë drithërat, kryesisht prodhime brumi.

Një kilogram miell blihej mesatarisht për 45 lek kilogrami për të dyja vitet, pra 2020 dhe 2021.

Gjatë vitit 2020, Shqipëria prodhoi vetë rreth 684 mijë tonë drithëra, ndërkohë që ka importuar rreth 364 mijë tonë. Importi zë afërsisht rreth 35 për qind të kërkesës vendase të drithërave. Sipas të dhënave të 2020-s, vendi nga ku Shqipëria importon më shumë drithëra është Rusia, që zë rreth 41 për qind të totalit në vlerë dhe rreth 45 për qind në peshë.

Vendin e dytë të importeve të Shqipërisë me drithëra ndjek Serbia, me rreth 36 për qind të totalit të importeve në peshë, Franca me 3.5 për qind dhe Ukraina me rreth 3 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë