Pas njoftimit të qeverisë se po rishikohet çmimi i energjisë për furrat e bukës, kërkesa ka mbërritur tek ERE.
Enti Rregullator i Energjisë do të nisë shqyrtimin e propozimit për ndryshimin e çmimit të energjisë për furrat e bukës, që tregtojnë edhe prodhime pastiçerie, brumrash apo kanë bar kafe.
Propozimi u bë fillimisht nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, pas arritjes së dakordësisë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Shoqatën e Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, duke kërkuar aplikimin e 3 fashave të ndryshme, në varësi të aktivitetit që ushtrojnë këto subjekte.
Aktualisht, të gjitha këto sipërmarrje tarifohen me 7.6 lekë/ kWh, që është një çmim preferencial me qëllim mos ndikimin e kostove në çmimin e bukës. Por, prej kohësh OSHEE ka ngritur shqetësimin se shumë prej furrave të bukës, tregtojnë edhe produkte të tjera, përfshirë ato të bulmetit, ndërsa në disa raste është shtuar edhe shërbimi i bar kafesë.
Për këtë arsye është theksuar se tashmë këto sipërmarrje duhet të paguajnë njësoj si gjithë bizneset e tjerë, duke mos dëmtuar konkurrencën. Debati mes palëve ka mbi 6 vjet që është në tryezë, por deri më tani është lënë në fuqi çmimi prej 7.6 lekë/ kWh.
Ndërkaq, sipas propozimit të ri janë 3 çmime që synohet të aplikohen. Kështu, për furrat e bukës, që s’kanë asnjë aktivitet tjetër të integruar, çmimi do të vijojë të jetë 7.6 lekë/ kWh.
Për ato ambiente që kanë furra buke, produkte pastiçerie apo dhe e produkteve të tjera të brumërave, çmimi propozohet në 9.5 lekë/ kWh, ndërsa për ato ambiente që janë më të zgjeruara e që kanë të përfshirë bar dhe kafe, çmimi propozohet në 12 lekë/ kWh. Vendimi përfundimtar do të merret nga Enti Rregullator i Energjisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.