Treg

Çmimi i Dogecoin rritet më shumë se 20% pasi Elon Musk tha se do të pranohet si mjet pagese në Tesla

Kriptomonedha e frymëzuar nga memet u rrit deri në 23% pasi Elon Musk tha se Tesla do të pranonte Dogecoin si pagesë për disa nga mallrat e saj.

“Tesla do të bëjë disa mallra të blera me Doge dhe do të shohim se si do të shkojë”, tha CEO i prodhuesit të automjeteve elektrike në një postim në Twitter, Elon Musk.

Musk e bëri shumë të qartë se sipas tij Bitcoin vlen më shumë si një ruajtës i vlerës, sesa si mjet transaksioni. Për këtë arsye besimi i tij është që Bitcoin nuk do t’i zëvëndësojë valutat kryesore si euro apo dollari, por do të jetë më shumë si “ari” që përdoret ditët e sotme për të garantuar paratë fizike.

Sipas tij, Dogecoin që lindi si një monedhë digjitale në formë shakaje ka provuar që është një mjet i lehtë për të bërë pagesa. Në këtë kuadër Musk njoftoi se Tesla do t’i lejojë njerëzit të blejnë disa nga mallrat e saj me kriptovalutën Dogecoin

Musk ka folur shpesh për Dogecoin, duke e quajtur atë monedhën e tij të preferuar digjitale.

Dogecoin fillimisht u nis si një shaka nga krijuesit e tij Billy Markus dhe Jackson Palmer në vitin 2013. Ajo merr markën e saj nga qeni japonez shiba inu, i cili frymëzoi meme origjinale “doge”.

Tweetet nga Musk dhe interesi në rritje nga një valë investitorësh amatorë nxitën një furi spekulative në kriptomonedhën në fillim të këtij viti, duke e rritur çmimin e saj.

Dogecoin shkoi nga vlera e vetëm një fraksioni i një qindarke në fillim të vitit në një çmim rekord të lartë mbi 74 cent në maj. Që atëherë, ai ka rënë ndjeshëm – me vetëm 20 cent për monedhë, token është ulur më shumë se 70% nga niveli i tij më i lartë i të gjitha kohërave.

Disa investitorë të kriptove thonë se Dogecoin është një fenomen i ngjashëm me “aksionet e memeve” si GameStop dhe AMC dhe nuk duhet të merret seriozisht.

“Unë në fakt nuk jam i bindur … që Dogecoin është i mirë për tregun e kriptove,” tha për CNBC Brad Garlinghouse, CEO i firmës kripto Ripple, muajin e kaluar.

Dogecoin së fundmi gjeti një rival në shiba inu, një të ashtuquajtur meme token që e cilëson veten si një “vrasës dogecoin”.

Shiba inu është aktualisht monedha e 13-të më e madhe për nga vlera e tregut, duke tejkaluar për pak kohë dogecoin.

Burimi: CNBC/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë