Treg

Çmimi i bukës masive në rrethe pritet të shkojë 150 lekë. Rritja do të reflektohet edhe në kryeqytet

Çmimi i bukës masive nëpër rrethet e Shqipërisë është rritur për herë të tretë brenda një periudhe shumë të shkurtër, nga 100 lekë në 130 lekë.

Gëzim Peshkëpia, kryetar i Shoqatës së Bukës, Brumrave dhe Pastiçerisë, thotë për Gazetasi.al se nga 130 lekë që është tani, çmimi i bukës masive pritet të shkojë deri në 150 lekë.

Kjo rritje çmimi sipas tij do të reflektohet edhe në kryeqytet ndonëse Peshkëpia thekson për Gazetasi.al se situata në Tiranë është më e kontrolluar se nëpër rrethe.

“Rritja e çmimit të bukës nëpër rrethe është individuale dhe po reflekton koston shtesë të transportit si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve. Transporti i miellit nga fabrikat në Tiranë deri në magazinat e rretheve është nga 25-35 lekë/kg. Kostoja shtohet sërish pasi mielli nga aty transportohet në furrat e bukës.

Qeveria e ka të pamundur që të frenojë rritjen e çmimit të grurit të ndikuar nga ndalimi i importit në Rusi dhe Ukrainë”, shprehet ai për Gazetasi.al.

Ndër të tjera ai thekson se situata nuk mund të konsiderohet abuzuese duke parë të gjithë efektin domino të rritjes së çmimeve.

Në një vëzhgim që bëri Gazetasi.al në furra buke disa ditë më parë, konstatoi se çmimet janë rritur sidomos në furrat e vogla të bukës të cilat nuk tregtojnë produkte pastiçerie.

Shitëse në një dyqan buke në Tiranë

“Çmimi i miellit është rritur dhe jemi detyruar edhe ne të rrisim çmimet e bukës. Një thes të vogël mielli që ne e blinim 150 lekë të vjetra, tani është shtrenjtuar në 220 lekë. Edhe një kilogram miell “Primo” në ditët e para të marsit u shit me 100 lekë nga 80 lekë që ishte tregtuar në mars.

Për momentin, buka është rritur me 20 lekë, kryesisht bukët që ishin më të vogla në përmasa. Njerëzit po ankohen por as ne nuk kemi çfarë të bëjmë në një situatë të tillë,” tha për Gazetasi.al një nga shitëset duke ngritur supet si për të dashur të shfajësohej.

Ndërkohë, shumë qytetarë të rretheve kanë nisur të ankohen për rritjen e çmimit të bukës nëpër rrjete të ndryshme sociale.

Kupon tatimor ku çmimi i bukës shënon 130 lekë

Duke publikuar faturat e çmimeve ata shprehen se nuk po e përballojnë dot as blerjen e bukës, produktin që ata e konsiderojnë bazën e shportës së ushqimeve të tyre.

Në 2021-shin Shqipëria ka importuar rreth 326 mijë tonë drithëra ku gati 50% e tyre ishin nga Rusia.

Bota ende po përpiqet të rikuperojë furnizimet që gjatë sezonit të kaluar ishin me mangësi dhe çmimet e larta nga pushtimi i Ukrainës jo vetëm e vonuan rikuperimin por edhe shumfishuan kostot zinxhir.

Inflacioni për shkurtin në Shqipëri ishte në nivelin 3.9%, më i larti i një dekade ku ushqimet ishin shtrenjtuar me 6.9%.

Megjithëse në terma mesatarë inflacioni ngelet më i ulët krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara, si ato të Eurozonës apo të SHBA, pritshmëritë janë për një rritje të mëtejshme, duke parë tendencën në rritje të indeksit të çmimeve të prodhimit, të atyre të importit apo të indeksit të presioneve të huaja inflacioniste, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë.

Në fund të janarit, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se nivelet e larta të çmimeve do të vazhdojnë dhe se FMN priste që inflacioni të jetë mesatarisht 3.9% në ekonomitë e zhvilluara dhe 5.9% në ekonomitë në zhvillim në vitin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë