Muzike

Çmimet “Grammy”/ Nga Jon Batiste, fituesi kryesor te mesazhi i Zelenski

Në Las Vegas u mbajt mbrëmjen e së dielës edicioni i 64-të i ndarjes së çmimeve muzikore “Grammy”.

Çmimet kryesore u shpërndanë mes një numri fituesish, duke përfshirë Jon Batiste, Silk Sonic dhe Olivia Rodrigo. Fituesi kryesor i natës ishte Jon Batiste, i cili mori pesë çmime.

Në një grup prej 10 pretendentësh, Batiste fitoi albumin e vitit për “We Are”. Gjithashtu ai fitoi titullin për performancën më të mirë, këngën më të mirë, kolonën zanore më të mirë dhe videoklipin më të mirë për “Freedom”.

Por cilat ishin pesë momentet më të paharrueshme të Grammy 2022?

Fjalimi i Jon Batiste

Nuk pati shuplaka live, por një atmosferë më e relaksuar se Oscars shoqëroi dorëzimin e çmimeve Grammy. Mes protagonistëve të mbrëmjes, të parashikuar nga 11 nominimet, këngëtari Jon Batiste mori pesë çmime, përfshirë atë për albumin e vitit me “We are”. Gjatë marrjes së çmimit, Batiste, 35 vjeç, tha: “Artet krijuese janë subjektive dhe i gjejnë njerëzit në momentin e jetës së tyre kur ata kanë më shumë nevojë për të. E dua muzikën, kam luajtur që fëmijë dhe për mua është më shumë se argëtim. Është sikur të ishte një praktikë shpirtërore”.

Homazhi i Lady Gaga për Tony Bennett

“Love for sale”, albumi i dytë i përbashkët i Lady Gaga dhe Tony Bennett, fitoi çmimin Grammy si “Albumi më i mirë vokal tradicional pop”. Gjatë mbrëmjes, ylli i popit këndoi këngën që i jep titullin veprës në një performancë-homazh për këngëtarin e madh: Bennett, 95 vjeç, është i sëmurë me Alzheimer dhe tashmë ka njoftuar prej disa kohësh se nuk do të performojë më live. Por kjo është evokuar nga imazhet dhe nga vetë Gaga, e cila në fund të këngës e përshëndeti: “Toni të duam, na mungon”.

Billie Eilish dhe t-shirti me Taylor Hawkings

Munguesit e mëdhenj të mbrëmjes, kuptohet, ishin Foo Fighters, të cilët pezulluan të gjitha angazhimet e tyre pas vdekjes së papritur të bateristit Taylor Hawkings. Grupi i rrokut fitoi tri çmime Grammy dhe u kujtua gjithashtu nga Billie Eilish, e cila gjatë performancës së saj “Happier than ever” veshi një bluzë të zezë me imazhin e bateristit.

Olivia Rodrigo “flirton” me BTS

Grammy nderoi talentin dhe suksesin e Olivia Rodrigo, e cila, megjithëse nuk fitoi disa nga kategoritë kryesore për të cilat ishte nominuar, u kurorëzua Artistja më e Mirë e Re dhe fitoi dy çmime të tjera. Momenti që çmendi audiencën e re, megjithatë, ishte një shkëmbim mes saj dhe V (pseudonim i Kim Taehyung), pra një nga shtatë anëtarët e grupit korean BTS që ishte ulur pranë saj. Ushtria e fansave të BTS tani po përpiqet të kuptojë se çfarë kanë komunikuar ata të dy.

Apeli i Zelensky

Ai nuk u shfaq në Oscars javën e kaluar, siç u supozua fillimisht, por presidenti ukrainas Volodymir Zelensky u shfaq në Grammy me një mesazh të regjistruar. “Lufta? Çfarë mund të jetë më e kundërta me muzikën? – pyeti ai. Muzikantët tanë veshin jelek antiplumb. Këndojnë për të plagosurit. Në spitale. Edhe për ata që nuk i dëgjojnë. Por muzika gjithsesi arrin të depërtojë”. Pas fjalëve të tij, John Legend doli në skenë së bashku me dy artistë ukrainas dhe një poete, për një homazh për vendin e sulmuar nga Rusia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë