Treg

Çmimet e ushqimeve arritën në nivelin më të lartë për 10 vite dhe do të qëndrojnë ashtu

Çmimet botërore të ushqimeve u rritën për të katërtin muaj në radhë gjatë nëntorit për të qëndruar në nivelet më të larta të 10 viteve të fundit, të udhëhequr nga kërkesa e fortë për grurë dhe produkte qumështi, deklaroi agjencia e ushqimit e OKB-së. Indeksi i çmimeve të ushqimit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), që ndjek çmimet ndërkombëtare të mallrave ushqimore më të tregtuara në nivel global, ishte mesatarisht 134.4 pikë muajin e kaluar, krahasuar me 132.8 të rishikuar për tetorin.

Indeksi i çmimeve të drithërave i FAO u rrit me 3.1% në nëntor krahasuar me muajin paraardhës dhe ishte 23.2% më i lartë se niveli i tij i një viti më parë, me çmimet e grurit që arritën nivelin e tyre më të lartë që nga maji 2011. FAO deklaroi se çmimet e grurit u mbështetën nga shqetësimet për reshjet në Australi dhe pasiguria mbi ndryshimet e mundshme në masat e eksportit në Rusi.

Indeksi i çmimeve të qumështit shënoi rritjen më të madhe mujore, me 3.4% krahasuar me muajin e kaluar. “Kërkesa e fortë globale për importe vazhdoi për gjalpin dhe qumështin pluhur, ndërsa blerësit kërkuan të siguronin furnizime në vend në pritje të shtrëngimit të tregjeve”,- theksoi FAO.

Sipas agjencisë, çmimet globale të sheqerit u rritën me 1.4% në muaj dhe u rritën gati 40% në bazë vjetore. Indeksi i çmimeve të mishit shënoi rënien e tij të katërt mujore radhazi, duke rënë 0.9% në muaj, ndërsa çmimet botërore të vajit vegjetal ranë 0.3% në nivelet e tetorit, por çmimet ndërkombëtare të vajit të palmës mbetën të qëndrueshme, tha FAO.

Organizata me seli në Romë uli projeksionin e saj të prodhimit global të drithërave në 2021 në 2.791 miliardë ton, nga 2.793 miliardë e vlerësuar një muaj më parë, sipas parashikimit të ofertës dhe kërkesës për drithëra. Megjithatë, prodhimi i pritshëm botëror i drithërave do të ishte ende një rekord, shtoi FAO.

Burimi:Reuters/Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë