Treg

Çmimet e naftës në botë rriten sërish ndikuar nga tërmeti në Turqi

Çmimet e naftës u rritën për të ditën dytë radhazi të martën(7 shkurt), të nxitura nga optimizmi për rikuperimin e kërkesës në Kinë dhe shqetësimet për mungesën e furnizimit pas mbylljes së një terminali të madh eksporti pas një tërmeti tragjik në Turqi.

Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent u rritën me 1.74 dollarë, ose 2.15%, në 82.73 dollarë për fuçi ndërsa kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor u rritën me 1.70 dollarë ose 2.29 për qind në 75.81 dollarë për fuçi.

"Çmimet e naftës së papërpunuar po rriten nga pritshmëritë që rimëkëmbja e Kinës do të rezultojë dhe nga ndërprerjet e furnizimit nga tërmeti që shkatërroi Turqinë," tha Edward Moya, analist.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) pret që gjysma e rritjes së kërkesës globale për naftë të këtij viti të vijë nga Kina.

Arabia Saudite, eksportuesi kryesor i naftës në botë, rriti çmimet e naftës së papërpunuar të saj kryesore për blerësit aziatikë për herë të parë në gjashtë muaj , mes pritjeve për rikuperimin e kërkesës, veçanërisht nga Kina.

Operacionet në terminalin e eksportit të naftës të Turqisë me 1 milion fuçi në ditë në Ceyhan u ndërprenë pas një tërmeti të madh që goditi rajonin. 

Terminali BTC, i cili eksporton naftë bruto të Azerbajxhanit në tregjet ndërkombëtare, do të mbyllet në 6-8 shkurt.

Në varësi të ritmit të rimëkëmbjes, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët, të quajtur OPEC +, do të duhet të rivlerësojnë vendimin e tyre për të ulur prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2023.

Nëse kërkesa rritet fuqishëm me rimëkëmbjen e ekonomisë kineze, atëherë do të ketë nevojë që vendet e OPEC+ të rishikojnë politikat e tyre të prodhimit.

Ndërkohë analistët thonë se normat më të larta të interesit po pengojnë fitimet nga rritja e çmimeve, pasi ka të ngjarë të kufizojnë rritjen ekonomike dhe rritjen e kërkesës për karburant.

“Ne nuk po shohim ende ndonjë përmirësim të kërkesës së brendshme të Kinës, megjithëse shifrat janë inkurajuese. Prandaj, shqetësimet rreth cikleve të rritjes së normave të interesit të bankave qendrore, mbeten pengesa kryesore në çmimet e naftës, pas rënies në më shumë se 7 % javën e kaluar”, tha Suvro Sakar, analist i energjisë në DBS Bank.

Kufizimet e çmimeve për produktet ruse gjithashtu hynë në fuqi të dielën(5 shkurt).

Vendet e G7-ës, Bashkimi Europian dhe Australia ranë dakord për vendosjen e çmimeve kufi prej 100 dollarë për fuçi për naftën dhe produktet e tjera që tregtohen me një çmim premium dhe 45 dollarë për fuçi për produktet që tregtohen me zbritje.

Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë