Indeksi i Çmimit të Importit gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 u rrit me 0.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 100.9%.
Industria përpunuese zë pjesën më të madhe të Indeksit të Çmimit të Importit dhe në të rritja më e madhe e çmimeve vihet re në prodhimin e pijeve dhe prodhimin e produkteve të duhanit me 4.6% dhe 2.4% respektivisht.
Rënie patën çmimet e grupit të shtypshkrimit dhe rigrupimit të mediave të regjistruara me 5.7%, prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure me 1.8 %, përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës me 1%.
Krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2020, IÇI-ja e tre muajve të parë të vitit 2021, u rrit me 0.5%, dominuar përsëri nga industria përpunuese.
Indeksi i Çmimeve të Importit mat ecurinë e çmimeve të transaksioneve të produkteve industriale të importuara për tu shitur në tregun vendas.
Ndryshe, nga IÇI-ja, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit gjatë tremujorit të parë të viti 2021, u ul me 0.6% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020.
IÇP-ja u ndikua më së shumti nga rënia me 2.8% në sektorin e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar.
Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror ra me 5.8%.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas: Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020, indeksi shënoi rritje me 0.2%.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport: Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020, indeksi shënoi ulje prej 0.2%.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas: Krahasuar me tremujorin e katërt 2020, indeksi shënoi rritje me 1.2%.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport: Krahasuar me tremujorin paraardhës indeksi shënoi rritje me 4.1 %.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.