Treg

Çmimet e banesave në Shqipëri u shtrenjtuan me 44.5% në fund të 2024-s

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë raporton se në 6 muajt e fundit të vitit 2024, çmimet e banesave në vend u rritën me 44.6% krahasuar me 6 muajt e parë. Në raport vjetor, çmimet u rritën 23.6%.

Indeksi Fischer tregon se kërkesa për prona mbeti e lartë dhe ra numri i pronave të pashitura. Më pak se 20% e pronave u blenë nga të huajt, me një rënie prej 6 p.p nga gjysma e parë e vitit.

Në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe veçanërisht me një vit më parë, vihet re një rënie e peshës së transaksioneve për të cilat çmimi i blerjes së pronës ka qenë i njëjtë me çmimin e kërkuar nga shitësi, dhe rritje e peshës së transaksioneve të realizuara me një çmim deri në 5% më të ulët se çmimi i kërkuar nga shitësi.

Rritja e vlerës së indeksit për Tiranën ishte gjithashtu e fortë 26.2% ndaj periudhës paraardhëse dhe 56% ndaj nivelit të një viti më parë. Edhe çmimet e qirasë janë rritur.

Çmimet e qirasë sipas agjentëve kanë shënuar rritje gjatë periudhës. Ky informacion mbi kërkesën dhe çmimet e qirasë vjen kryesisht nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit. Sipas tyre, kërkesa e përgjithshme për marrje me qira raportohet më e lartë nga kërkesa gjatë gjashtëmujorit të mëparshëm.

Vlerësimet e subjekteve për gjendjen e tregut dhe çmimet në tregun e banesave mbeten përgjithësisht pozitive për afatin e shkurtër dhe afatin më të gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë