AIK Solna, një nga skuadrat më prestigjioze të Suedisë, ka shitur për herë të parë në historinë e futbollit “Abonenë e Përjetshme”. Kjo është një praktikë e re e klubit suedez që synon të ndihmojë tifozët e flaktë që mos të humbin ndeshjet në shtëpi.
Blerjen e këtij abonimi të përjetshëm, e bëri 43-vjeçari Magnus Kack, i cili shpenzoi 18.500 euro. Kack e ndjek ekipin e tij të zemrës që nga mosha 7-vjeçare dhe vetëm në dy raste nuk ka qenë në stadiumin e shtëpisë. Një herë data ndeshjes ishte në të njëjtën ditë me martesën e tij dhe herën tjetër, nuk mundi të shkonte, pasi duhej të kujdesej për djalin e tij në spital.

Intervistuar nga mediat lokale, Magnus Kack ka thënë se ishte një zgjedhje shumë e thjeshtë për të dhe se nuk e kishte menduar dy herë në asnjë moment. “Sapo mësova për këtë iniciativë të klubit nuk e mendova dy herë, por shkova direkt dhe u interesova se si mund ta merrja. Sot që ne flasim 18 mijë euro mund të duken shumë, por duhet menduar pak më gjerë si çështje. Pas 30 vjetëve unë do të jem në pension dhe do të kem gjithmonë të njëjtin abonim dhe nuk do të jem kurrë pa biletë për të parë ekipin tim të zemrës.”

Magnus Kack ishte vetëm i pari që mori këtë abone të përjetshme, pasi edhe të tjerë përfituan nga kjo mundësi që ofroi klubi. AIK nga ana e tij ka theksuar se kjo mundësi për të marrë abonenë përjetshme iu ofrohet vetëm atyre tifozëve që kanë pasur abonim të paktën 5 vitet e fundit për në stadium.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.