Gazeta Si – Sipas ‘Le Parisien’, klubi londinez po bëhet gati për çmendurinë e radhës, kërkon të transferojë në Premier Ligë edhe brazilianin e PSG-së.
Sirena angleze për Nejmar. Tod Boehli, pronari i Çelsit, pasi ka shpenzuar 500 milionë stërlina për përforcimet në merkaton e dimrit, kërkon të marrë në Londër edhe Nejmarin. ‘Le Parisien’ bën me dije se manjati amerikan ka takuar në Paris pronarin e PSG-së, Naser Al-Khelaifin, për të diskutuar për transferimin e mundshëm të sulmuesit në verë.

Boehli e vlerëson shumë brazilianin dhe ka shumë dëshirë ta ketë në skuadër. PSG do të kërkonte ‘vetëm’ 60 milionë euro, shifër që Çelsi nuk do ta refuzonte.
Nejmar ka një kontratë deri në 2025-ën dhe mbetet ende lojtari më i shtrenjtë në botë. Mundësitë e Çelsit për ta marrë atë varen shumë nga Lionel Mesi. Akordi me argjentinasin përfundon në verë dhe, nëse ai nuk rinovon, vështirësohet puna edhe për Çelsin. Nëse Mesi qëndron, atëherë do të jetë më e lehtë që Nejmar të shkojë në Londër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




