Efektet “absurde” të ndryshimeve klimatike po shfaqen në disa kontinente: pas temperaturave rekord në Siberi në mes të dhjetorit dhe super tajfunit “Odette-Rai” në Filipine, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani po përballen me “klimën e çmendur”, nga uraganet dhe tornadot, madje edhe Evropa do të përfshihet me nxehtësinë e pazakontë pas natës së ndërrimit të viteve.
Vapa dhe shiu në Alaskë
Alaska është në grahmat e një vale anormale të të nxehtit, me temperatura që në disa vende arrijnë deri në 20 gradë në një periudhë të vitit që zakonisht karakterizohet nga të ftohtit të hidhur. Në ishullin Kodiak – në jugperëndim të Anchorage – 19.4 gradë celsius u regjistrua të dielën e kaluar, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Alaskë në dhjetor.
Një situatë “absurde”, përkufizoi Rick Thoman i Qendrës për Vlerësimin dhe Politikën e Klimës në Alaskë. Rekordi i ri pason një sërë vlerash të jashtëzakonshme të regjistruara në ditët e mëparshme, si 18.3 gradë në aeroportin Kodiak, 16.6 gradë në Gjirin e Ftohtë dhe 13.3 gradë të shtunën e kaluar në Unalaska: ishte dita e Krishtlindjeve më të ngrohtë e regjistruara ndonjëherë në Aleutinin Perëndimor.
Kushte ekstreme të motit që i shtynë autoritetet të japin alarmin “Icemageddon”: pas reshjeve të dendura të borës, mbërritën shira të rrëmbyeshëm që e lanë rajonin të mbuluar me pllaka akulli aq të forta sa betoni.
Pas kësaj, rezultuan ndërprerje të gjata të energjisë, mbyllje të rrugëve dhe zyrave. Akulli i trashë që u formua në rrugë i bëri ato të rrezikshme për shoferët, paralajmëroi Departamenti i Transportit dhe Objekteve Publike të Alaskës.
“Akulli është jashtëzakonisht i vështirë për t’u hequr, pasi është ngjitur në sipërfaqen e rrugës. Edhe pse temperatura e ajrit ishte e ngrohtë, pasi rrugët ishin në temperatura nën zero, akulli u ngjit në sipërfaqe”, shpjegoi departamenti në Twitter.
Akulli pritet të qëndrojë në rrugë të paktën deri në mars ose prill, tha për BBC Rick Thoman, i Qendrës për Vlerësimin dhe Politikën e Klimës në Alaskë.
Alaska do të ketë ende të ftohtin e dimrit – temperaturat e Fairbanks pritet të bien nën -29 gradë Celsius këtë fundjavë – por episodet e nxehta dhe të lagështa, pritet të jenë më të shumta në të ardhmen, tha Thoman.
Dëborë e pazakontë në Kaliforni
E kundërta është problemi në vargun malor të Sierra Nevadës në Kaliforni: mesatarisht 5.13 metra borë u regjistrua në muajin e fundit, niveli më i lartë i arritur ndonjëherë në dhjetor që nga fillimi i sondazheve në vitin 1970.
Një rekord që vjen pas muajsh thatësire ekstreme, të cilat ndezën zjarret dhe shkaktuan mungesë uji. Viti 2021 në SHBA u karakterizua nga dy ngjarje të pafavorshme të mëdha, që janë anormale nga pikëpamja klimatike.
Uragani “Ida”, i cili ndodhi në fund të verës, shkaktoi gati 70 të vdekur, dëme shkatërruese në Luiziana dhe deri në shtetet verilindore, duke shkaktuar frikën e një “Katrina” të re.
Në fund të një viti tashmë të mbushur me kushte ekstreme të motit, vetëm pak javë më parë, 12 dhe 13 dhjetor, ishte radha e tornadove shkatërruese që goditën Midëest dhe Jugun, veçanërisht Kentakin, me të paktën 90 të vdekur. Muaji i fundit i vitit është përgjithësisht koha më e qetë për tornadot, por temperaturat e larta kanë shkaktuar fenomenin, të cilin CNN e vendos si lajmin e tretë më të madh për klimën e vitit 2021.
Tajfuni “Rai” në Filipine
Gjysmë milion shtëpi të shkatërruara dhe të paktën 388 të vdekur është numri tragjik i super-tajfunit “Rai” që goditi rajonet jug-qendrore të Filipineve në mes të muajit.
Ishte stuhia më e fuqishme e vitit, me erëra që arrinin shpejtësinë 195 kilometra në orë. Komunikimet dhe energjia elektrike janë ndërprerë në disa zona.
Një ogur dramatik nga më të këqijat që do të vijnë, e përcakton “The Economist”.
Ndryshimet klimatike do të zgjerojnë gamën e cikloneve tropikale, duke i bërë miliona njerëz më të prekshëm ndaj këtyre stuhive shkatërruese, sipas një studimi të ri nga Universiteti Yale-s dhe i publikuar në revistën “Nature Geoscience”.
Aktualisht, këto ciklone – ose uragane – janë të kufizuara kryesisht në rajonet tropikale në veri dhe në jug të ekuatorit. Por studiuesit thonë se rritja e temperaturave do të lejojë që këto ngjarje të motit të formohen në gjerësi mesatare. Kjo zonë përfshin qytete të tilla si Nju Jorku, Pekini, Bostoni dhe Tokio.
Ngrohje rekord në Evropë
Nata e Vitit të Ri, duhet të përkojë me fazën kulmore të anticiklonit të fortë afrikan që goditi Evropën, me maja anormale në rajonet qendrore-perëndimore.
I gjithë sektori europian, do të jetë mbi mesataren, edhe nëse rritja e temperaturës do të jetë më e frenuar në fushat, ku mjegulla do të kufizojë rrezatimin diellor.
Megjithatë, ekzistojnë të gjitha kushtet që në shumë vende evropiane të arrihen temperatura rekorde lokale për periudhën. Klima e ngrohtë duhet të ulet nga data 2-3 janar, kur rrymat më të ftohta oqeanike pritet të bien në gjerësi gjeografike.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



