Ka ndodhur

Çmenden shoferët në rrugë, deri në 196 km/h shpejtësi në Bypass-in e Fierit (Video)

Në 48 orët e fundit, janë konstatuar drejtues mjetesh që abuzonin me shpejtësinë, parakalimet e gabuara apo me alkoolin në timon.

Në rrugën interurbane Tuneli i Krrabës-Tiranë, nga Policia Rrugore e Tiranës, janë konstatuar automjete me shpejtësi deri në 175 km/h në kulmin e trafikut, ndërsa në Bypass-in e Fierit, Policia Rrugore e Fierit ka konstatuar shpejtësi deri në 196 km/h.

Policia thotë se janë arrestuar në flagrancë 15 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 12 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Po ashtu, janë pezulluar 40 leje drejtimi, nga të cilat 20 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt. 

Janë vendosur 288 masa administrative me vlerë nga 5.000 deri në 22.000 lekë të rinj, për shpejtësi tej normave të lejuara, bazuar në ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor.

Gjithashtu janë vendosur 101 masa administrative, me vlerë nga 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë