Politike

‘Çliroi’ pallatin e konfiskuar ku do vendosej Kadastra, Rama kritika Balliut: Favorizon ndërtuesit e paligjshëm

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish kundrejt gjyqtarit Hazbi Balliut, i cili vendosi të bllokojë vendimin e konfiskimit të një pallati në kryeqytet, ndërtesë pa leje, ku u vendos që të zhvendosej Agjencia e Kadastrës.

Duke zbuluar për opinionin publik një ekstrakt të vendimit të gjyqtarit për rastin në fjalë dhe pamje nga zyrat aktuale të ASHK-së me tavanin e rrëzuar përtokë, Rama thekson rëndësinë e këtij vendimi.

Ai shkruan se prokurorë e gjyqtarë po angazhohen sipas tij në favor të ndërtuesve të paligjshëm.

“Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u vendos të sistemohej Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.

Se si mund të angazhohen prokurorë a  gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit a të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre gjithnjë e më i rrezikshëm për fatet e vetë Reformës në Drejtësi.

Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është normale për sa kohë nuk ka viktima”, shkruan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë