Gazeta Si – “Dialogu dhe respekti kanë mbizotëruar. Ne jemi as më shumë e as më pak se Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në podiumin e madhe të Zocalo-s, zemra e Meksiko Sitit, shpërthen një ovacion. Presidentja, siç pëlqen të quhet Claudia Sheinbaum, buzëqesh: popullariteti i saj, më pak se gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, rritet mbi 80 për qind, një rekord që nuk u arrit kurrë as nga paraardhësi dhe mentori i saj karizmatik, Andrés Manuel López Obrador, i cili e vendosi atë në krye të vendit të Amerikës së Veriut.
Merita, pranon “Financial Times”, shkon në mënyrën në të cilën udhëheqësja 62-vjeçare arriti të përballet me kërcënimet e Donald Trump.
“Ajo e shndërroi kërcënimin e jashtëm të presidentit të Shteteve të Bashkuara në një bum të brendshëm, duke mbledhur kombin rreth qeverisë së saj”, shkruan gazeta britanike.
Dhe kjo nuk është fitorja e vetme personale. Sheinbaum është e vetmja lidere e huaj ndaj të cilit Trump ka treguar respekt (përveç Putinit, mund të thuhet):
“Një grua e mrekullueshme”, tha miliarderi për të, pasi homologia e saj meksikane, dërgoi dhjetë mijë ushtarë në kufi për të kontrolluar trafikun e emigrantëve dhe fentanilit.
Meksikanët janë një popull krenar dhe presidentja e krahut të majtë ka qenë shumë e zgjuar për t’i bërë lëshime fqinjit të saj agresiv në veri – më e fundit: ekstradimi masiv i disa bosëve të drogës, në kundërshtim me ligjet meksikane – pa ia përcjellë si të tillë mbshtetësve të saj.
“Respekt” dhe “dinjitet” janë fjalët e përsëritura vazhdimisht gjatë mega-mitingut të thirrur nga Sheinbaum në Zocalo më 9 mars, për t’u shpjeguar 350,000 njerëzve të mbledhur në shesh dhe miliona njerëzve që ndoqën drejtpërdrejt në TV, se cila është linja e tij e mbrojtjes kundër tarifave të Trump: “Ne e kemi shprehur gjithmonë me bindje: Meksika është një shtet i madh me një popill dinjitoz dhe kurajoz. Ne jemi kombe në baza të barabarta; ne nuk jemi më shumë, por nuk jemi më pak”. Dhe përsëri: “Ne nuk jemi koloni e askujt: të bashkëpunojmë po, të nënshtrohemi, kurrë”. Nëse ka funksionuar vërtet, mbetet ende për t’u verifikuar.
Ndryshe nga kryeministrat kanadezë – Justin Trudeau së pari, Mark Carney tani – Claudia Sheinbaum ka miratuar një linjë “të butë” për t’u marrë me kërcënimet e Trump.
Domethënë, asnjë konfrontim i drejtpërdrejtë, asnjë hakmarrje e menjëhershme ndaj tarifave, një telefonatë e gjatë me dy drejtime dhe shumë lëshime.
Ajo që ndoshta rëndon më shumë mbi popullin e saj, është se nuk ka reaguar me forcë ndaj pretendimit të dëshirës për të ndryshuar emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës. Fjalët ndonjëherë peshojnë më shumë se taksat.
Nga ana tjetër, paraardhësi i saj, Lopez Obrador, si ajo i majtë, ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë me Trump, pavarësisht dallimeve të tyre ideologjike.
Në kohën e kandidaturës së saj, shumë dyshuan se Sheinbaum, si kryebashkiake e kryeqytetit, do të kishte të njëjtën lehtësi në marrëdhëniet personale me miliarderin amerikan: ndryshe nga paraardhësi i saj, populist dhe “mjeshtër” i retorikës, presidentja e parë femër e Meksikës ka një formim shkencor dhe konsiderohet një teknokrate e akullt.
Sheinbaum, megjithatë, mori lavdërimet e Trump – “je e fortë”, thuhet se i tha kreu i Shtëpisë së Bardhë gjatë telefonatës së muajit të kaluar – dhe arriti të fitojë një zgjatje të vlefshme të detyrave.
“Askush nuk e priste që ajo të ishte aq e aftë, apo kaq me fat”, – komentoi Carlos Bravo Regidor, një analist politik meksikan. “Në çdo rast, po funksionon”.
Në realitet, përtej respektit të ndërsjellë, në fund detyrimet për çelikun dhe aluminin u vendosën edhe për Meksikën, me trajtim më pak kërcënues, por në fund të fundit të njëjtë me atë të Kanadasë.
Si ato për mallrat që nuk përfshihen në traktatin midis Meksikës, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, ose pothuajse gjysma e eksporteve drejt fqinjit verior. Dhe për pjesën tjetër, me frymën e mbajtur, si pjesa tjetër e botës, deri në fund të skadencës, më 2 prill.
Perspektivat ekonomike të Meksikës nuk janë aspak rozë. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), nëse do të vendoseshin tarifa prej 25 për qind për shumicën e produkteve meksikane që hyjnë në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga 2 prilli, ekonomia meksikane do të binte në recesion në 2025 dhe 2026, me produktin e brendshëm bruto që mund të tkurret përkatësisht me 1.3 për qind dhe 0.6 për qind.
“Këto parashikime bazohen në supozimin se tarifat dypalëshe midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara dhe midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara do të rriten me 25 pikë përqindje të tjera për pothuajse të gjitha importet e mallrave nga prilli. Aktiviteti do të ishte më i fortë dhe inflacioni më i ulët në të tre ekonomitë, nëse këto rritje tarifash do të ishin më të vogla ose të kufizuara në një gamë më të ngushtë mallrash, por rritja globale do të ishte akoma më e dobët se sa pritej më parë”, – shpjegoi OECD në përditësimin e saj të marsit.
Hipoteza e hedhur poshtë nga qeveria Sheinbaum: Marcelo Ebrard, ministër i Ekonomisë, e konsideron “të pamundur” që Shtetet e Bashkuara të përfundojnë duke vendosur një tarifë 25% për importet nga Meksika.
Në nivelin e brendshëm, falë popullaritetit të saj, Sheinbaum ndërkohë çon përpara si një tren reformat e majta të shpallura tashmë nga paraardhësi i saj: një rishikim i thellë i sistemit gjyqësor, me gjyqtarë të zgjedhur më shumë në varësi të pushtetit ekzekutiv dhe nacionalizimi i sektorëve kyç.
Të mërkurën, më 19 mars, Sheinbaum shpalli ligjet që rivendosin Petroleos Mexicanos (Pemex) dhe Komisionin e Energjisë Elektrike (Comisión Federal de Electricidad), si kompani shtetërore, duke i dhënë fund reformës energjetike të promovuar nga qeveritë e qendrës së djathtë.
“Një nga gjërat më të rëndësishme është që kompanitë të rikuperohen vertikalisht”, – tha presidentja meksikane.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.