Kosova

Clark: Ishte nder për mua që ndala spastrimin etnik në Kosovë

Ish-komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me një mesazh në 23-vjetorin e fillimit të fushatës bombarduese të NATO-s kundër ushtrisë serbe.

Ai ka uruar Kosovën për, siç ka thënë, “këtë ditë shumë të rëndësishme të 24 marsit”.

Përmes një videomesazhi, Clarku ka thënë se bombardimet e NATO-s kanë ndryshuar historinë e Kosovës dhe të Europës.

“Të gjithë miqve të mi në Kosovë, Qeverisë, popullit të Kosovës dua të ju uroj këtë ditë shumë të rëndësishme të 24 marsit.

Në këtë ditë, në vitin 1999, misionet e para ajrore të NATO-së hynë në Kosovë dhe kjo ka ndryshuar historinë e Kosovës, ka ndryshuar historinë e Europës. I është dhënë shpresë dhe dritë gjithë botës. Por jam posaçërisht shumë krenar për të gjithë ju në Kosovë për demokratizimin që keni bërë, për zhvillimin ekonomisë sfiduese që keni ndërmarrë dhe jam veçanërisht mirënjohës për miqësinë e jashtëzakonshme që keni treguar ndaj SHBA-së”, tha Clarku.

Gjenerali amerikan, që udhëhoqi bombardimet, tha se ishte nder për të që ishte komandant i NATO-s në atë kohë.

“Për mua ishte nder i jetës që isha komandant i NATO-s dhe që pata mundësinë të ndihmojë në ndalimin e spastrimit etnik.Ne ishim të gjithë bashkë dhe të gjithë jemi të sigurt, se 23 vite më parë, NATO bëri gjënë e duhur për Kosovë.

Sot e gjithë vëmendja është e fokusuar në Ukrainë, por unë po punoj shumë që vëmendja të mbetet e koncentruar edhe Kosovë. Ju e meritoni”, tha Clark në adresimin e tij para deputetëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë