Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaron se nuk dëshiron që të bëhet pjesë e përplasjes mes Presidentit Hashim Thaçi dhe Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti dhe për këtë arsye ka vendosur që të japë dorëheqjen.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vlora Çitaku thotë se është njoftuar përmes postës elektronike për kërkesën që ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca ka dorëzuar në Presidencë për shkarkimin e saj.
“Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë që të emërojë dhe shkarkojë ambasadorët e Republikës së Kosovës, unë do të respektoj kërkesën e Qeverisë. Mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht se jam e padëshiruar për të”, deklaron ambasadorja e Kosovës në SHBA.
Megjithatë, Çitaku mendon se më parë duhet të ishte kontaktuar nga Qeveria.
“Si Ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës. Në këtë periudhë tranzitore do të mundohem të përmbushë të gjitha detyrat me përgjegjësi, ashtu siç kam bërë çdo herë”, deklaron ajo.
Kërkesa e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e Vlora Çitakut nga detyra e ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bë pas skandalit të njohjës së pavarësisë nga ana e Xhamajkës. Lajmi i pari i dha nga Presidenti Hashim Thaçi dhe ai u mirëprit edhe nga zyrtarë të kabinetit të Qeverisë Kurti. Por, ministrja e Jashtme xhamajkane e përgënjeshtroi këtë, duke thënë se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.
Presidenti Hashim Thaçi u mbrojt duke deklaruar se lajmin e njohjes e kishte marrë nga ambasadorja Vlora Çitaku. Për këtë arsye, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi shkarkimin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




