Nga Gazeta “SI”- Gjatë natës së 26 shtatorit 1935, një zjarr shkatërroi dy nga tre studiot e shtëpisë së prodhimit “Cines” në rrugën “Veio” në Romë. Shumë shpejt pas kësaj ngjarjeje u gjet vendi ideal, një fshat për të krijuar një qytet të ri të kinemasë, në “Via Tuscolana” , në periferi të Romës. Aty do të lindte “Cinecittà” e ardhshme. Bëhej fjalë për një hapësirë rreth 500,000 metra katrorë, ku u ndërtuan me kalimin e kohës teatro filmimi, stabilimente për zhvillim, shtypje dhe montim filmi, e gjithashtu selia e re e Institutit “Luce: dhe ajo e “Qendrës Eksperimentale të Kinematografisë”
Punimet filluan në janar të vitit 1936 dhe përfunduan pesëmbëdhjetë muaj më vonë. “Cinecittà” u inaugurua nga Mussolini më 28 prill 1937. Në vitin 1937 u prodhuan 19 filma dhe vitin pasues 31, shifra të vogla në krahasim me komplekset e tjera të mëdha evropiane, konkurrentët direkt të “Cinecittà-s”
Në vitin 1939 regjimi i Musolinit miratoi një ligj të ri, Ligjin “Alfieri”, që çoi në lindjen e Entit Kombëtar të Industrive Kinematografike dhe i mundësoi Cinecittà-s të rritej me shpejtësi të jashtëzakonshme!
Rritja e shpejtë gjatë fashizmit
Që nga viti 1939, Luigi Freddi përshpejtoi ndërtimin e impianteve të reja. Teatrot e filmimit u dyfishuan nga pesë në dhjetë dhe njëkohësisht u rrit edhe numri i filmave të prodhuar.

Në fund të po atij viti, Freddi u bë fillimisht zëvendësdrejtor, pastaj drejtor i Cinecittà-s. Më pas, brenda pak muajsh, u bë edhe president i Cines të rilindur dhe i Entit Kombëtar të Industrive Kinematografike. Në këtë mënyrë, të gjitha pushtetet vendimmarrëse u përqendruan në një person të vetëm dhe kinemaja italiane u bë shprehje e regjimit fashist.
Luigi Freddi veproi në dy drejtime për të rritur zhvillimin dhe prestigjin e kinemasë italiane, duke marrë si shembull modelin e Hollivudit. Nga njëra anë, ai punoi për të bërë që “Cinecittà” të zgjerohej. Ndërtoi teatro të rinj filmimi dhe vendosi sekuestrimin e një sipërfaqeje të madhe ngjitur me pronën ekzistuese të Cinecittà-s, për të siguruar hapësira të reja që do ta bënin edhe më të madh këtë qytet të kinemasë.
Në të njëjtën kohë, jashtë vendit ai hapi agjenci reklamuese dhe tregtare dhe bleu të gjithë zinxhirë sallash kinemaje për të promovuar, shitur dhe shpërndarë filmat e prodhuar në studiot e qytetit të kinemasë.
Kjo veprimtari e dyfishtë solli një fluks të madh aktorësh dhe aktorësh që krijuan një yjësi kombëtare të ngjashme me atë të Hollivudit. E gjithë kjo vazhdoi derisa ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore ndaluan në mënyrë të dhunshme rritjen e Cinecittà-s.
Lufta dhe paslufta
Kur regjimi fashist u përmbys, Luigi Freddi u arrestua dhe zhvillimi i Cinecittà-s pësoi një goditje të rëndë. Vetëm disa muaj më vonë, gjatë pushtimit gjerman, studiot u plaçkitën. Pasi doli nga burgu, Freddi u përpoq të krijonte një degë të qytetit të kinemasë së Romës në Venecia, të quajtur “Cinevillaggio”, që përmbante vetëm tre teatro filmimi. Aty shkuan për të punuar disa aktorë, regjisorë dhe teknikë që kishin mbetur, kryesisht figura të dorës së dytë, pak të njohura.
Ndërkohë, gjatë viteve të luftës, Cinecittà ishte kthyer në depo dhe magazinë, fillimisht për nazistët e më pas për trupat aleate. Më pas, në fund të luftës, hapësirat e mëdha të qytetit të kinemasë u përdorën nga organizatat ndërkombëtare për të ndihmuar refugjatët dhe të zhvendosurit që kishte shkaktuar Lufta e Dytë Botërore.

Në fund të vitit 1945, nën drejtimin e producentit Valentino Brosio, u vendos rihapja e Cinecittà-s. Qyteti i madh i kinemasë, që pjesërisht ishte shkatërruar nga bombardimet aleate, nisi të restaurohej dhe të rindërtohej ngadalë. Por dëshira për ringjallje ishte aq e madhe, saqë gjatë punimeve, në vitin 1946, Cinecittà prodhoi tashmë dy filma të rinj.
Megjithatë, qyteti i kinemasë në Romë kishte pësuar një goditje shumë të fortë dhe rimëkëmbja e tij ishte më e ngadaltë nga sa pritej. Disa nga studiot u rihapën zyrtarisht në vitin 1947, por Cinecittà prodhoi vetëm shumë pak filma të rinj.
Rilindja e Cinecittà – vitet ’50
Në vitin 1949 ndërsa prodhimi i filmave u dyfishua, edhe pse mbeti në nivele relativisht modeste, ndodhën disa ngjarje të rëndësishme.
Ndryshimi i parë i madh dhe pozitiv ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje shumëvjeçare bashkëprodhimi me Francën. Po ashtu, në vitin 1949, u zvogëlua zona e sekuestruar dhjetë vjet më parë, për ta bërë më të lehtë menaxhimin. Pastaj, gjatë verës, Cinecittà nisi sërish bashkëmenaxhimin me studion e rilindur Cines.

Në fund të vitit 1949, gjithashtu, Metro Goldwyn Mayer njoftoi dëshirën për të xhiruar filmin e ri madhështor “Quo Vadis” pikërisht në Cinecittà. Xhirimet nuk ishin aspak të lehta, për shkak të mungesës së strukturave të përshtatshme, por pikërisht falë refugjatëve u arrit të zgjidhej problemi i numrit të madh të figurantëve të nevojshëm për filmin.
Epoka e Artë: Vitet ’60
Veçanërisht bashkëpunimi me Francën kontribuoi në periudhën e bukur të kinemasë italiane që shtrihet nga fundi i viteve ’50 deri në fillim të viteve ’70. Gjatë kësaj periudhe, shumë filma të Roberto Rossellinit, Vittorio De Sica, Luchino Viscontit dhe Federico Fellinit të xhiruar në Cinecittà u prodhuan në bashkëpunim me shoqëri të njohura franceze. Kjo është periudha e Epokës së Artë të Cinecittà, ku kinemaja italiane pati një sukses të merituar ndërkombëtar, duke dhuruar për botën klasika të mëdha.
Këtu janë edhe vitet e ikona të vërteta të kinemasë italiane, si Sophia Loren dhe Marcello Mastroianni, të cilët luajtën role të paharrueshme në filma të njohur që kaluan në histori, si La Dolce Vita i vitit 1960 dhe Matrimonio all’Italiana i vitit 1964.
Filmat e mëdhenj të Cinecitta
“Quo Vadis” i xhiruar në vitin 1951 ishte një prodhim madhështor amerikan, dhe zgjedhja për ta xhiruar në Romë solli vëmendje ndërkombëtare. Filmi tregonte Romën e perandorit Neron duke u bërë shumë i famshëm për skenat e mëdha me qindra figurantë. Po ashtu filmi i famshëm “Cleopatra” me protagoniste Elizabeth Taylor ishte një nga bashkëprodhimet italo-amerikane që e rreshtuan Cinecitta një nga më të mëdha kompani filmike në botë.

Njëkohësisht me bashkëprodhimet, kishin nisur edhe xhirimet e filmave tërësisht italian. Disa nga filmat ikonë të atyre viteve, “La Dolce Vita” i Federico Fellinit realizuar në vitin 1960 një film ikonë absolute e kinemasë botërore, me skenën legjendare në Fontana di Trevi. apo “Nuovo Cinema Paradiso” nga Giuseppe Tornatore i realizuar në vitin 1988. Edhe pse jo tërësisht i xhiruar në Cinecittà, shumë nga skenat ikonike u mbështetën në teknologjitë dhe mjeshtrinë e studios.
Cinecittà e Shekulli XXI

Sot, “Cinecittà” është një qendër prodhimi multimedial në avancë që shkon përtej kinemasë tradicionale. Pavarësisht prodhimit të filmave dhe prodhimeve televizive, kompleksi mbështet projekte digjitale, ekspozita kulturore dhe shumë gjëra të tjera. Hollyëood-i ynë në Tiber ka shpërthyer si një vend frymëzimi dhe bashkëpunimi për artistë nga e gjithë bota. Nuk mund të mohohet që qendra e kinemasë në Romë është një vend ende magjik, ku janë lindur disa vepra të vërteta të kinemasë italiane dhe ndërkombëtare. Po ashtu, aty janë formuar dhe janë rritur talente dhe yje të mëdha të kinemasë. Edhe sot, Cinecittà vazhdon të shkëlqejë si një qendër ekselence krijuese dhe vazhdon të jetë një nga lokacionet kinematografike më të influencuara dhe më të njohura në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.