Gazeta Si – Që në orët e para të kësaj të premteje nisi lufta e deklaratave mes dy grupimeve në PD, “Bardhi” e “Basha”.
Fillimisht do të ishte një deklaratë e grupit të PD që do të cilësonte akt përçarës thirrjen e Bashës për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Lulzim Basha ka lajmëruar një akt përçarës të Partisë Demokratike. Interesi i demokratëve është lufta e të gjithëve bashkë, kundër Edi Ramës. Interesi i Lulzim Bashës po duket që është përçarja, zvogëlimi, lufta dhe armiqësia mes demokratëve dhe ndërtimi i një partie personale, që i shërben vetëm interesit të tij personal”, thuhet në deklaratë.
Reagimit të deputetëve pro Bardhi, do ti përgjigjej Oriola Pampuri, duke kërkuar që deputetët të mbajnë në emrin personal dhe jo në emër të grupit.
Kjo do të ishte dhe thirrja e Kreshnik Çollakut i rreshtuar në grupimin pro Basha. Sipas tij, dje nuk kishte Këshill Kombëtar të PD dhe se nuk kishte asnjë anëtar të PD që mori pjesë në mbledhjen online.
“Në dijeninë time nuk kam asnjë provë për të provuar që është realizuar një mbledhje, qoftë edhe pjesës së Rithemelimit me deputetët. Kam parë disa deputetë që janë ngjitur në zyrë dhe kanë deklaruar pas një ore që është kryer një mbledhje e këshillit online. S’kam parë asnjë plan video, asnjë diskutim, u bënë 24 orë s’kam informacion për pjesëmarrësit, emrat kush kanë marrë pjesë. Kam hapësirë për të dyshuar. Asnjë anëtar i PD zyrtare s’ka marrë pjesë dje në mbledhje. Çdo gjë që mund të jetë organizuar, peticion për të ndaluar Lul Bashën në PD, por s’ka asnjë vlerë satutore. Kjo është në spekulim, s’kam parë asnjë provë publike që është zhvilluar takim”, tha Çollaku në një media televizive.
Më tej ai shtoi: “Ndjej keqardhje, në mënyrë të posaçme për Bardhin që e kam vlerësuar. Nesër në datën 29 korrik janë zgjedhjet. Pastaj fillon procesi për ristrukturimin plotë të PD, synimi ynë është që në shtator-tetor PD të jetë një strukturë aktive për tu përballur me çdo situatë. Në fund të shtatorit ky proces duhet të jetë i përfunduar dhe PD do jetë funksionale”.
Por nuk mungoi reagimi pjesës tjetër të kampit Bardhi. Saimiri Koreshi e ironizoi qëndrimin e Çollakut.
“Zakonisht deklaratat e shumicës nuk pasqyrojnë mendimin e pakicës!Pakica e ka të qartë qëndrimin e vet, në mëngjes ndryshe, në darkë ndryshe!”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Të gjithë këto përplasje kanë futur në një kolaps partinë më të madhe të opozitës. Por më tepër kanë çoroditur anëtaresinë e PD, bazën e demokratëve që nuk e dinë se si do verpojnë më 29 korrik.
Do të votojnë për Bashën apo do e bojktojnë procesin?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




