GazetaSi – Shumica e të mbijetuarve të fluturimit të “Azerbaijan Airlines” që u rrëzua në Kazakistan – pasi u goditën nga copa të një rakete të lëshuara nga pozicionet ruse në Çeçeni – ishin në pjesën e pasme të avionit “Embraer E190”.
Disa prej tyre janë ende të shtruar në spital, por pothuajse të gjithë të vdekurit – përfshirë pilotët dhe një stjuardesë – ishin në pjesën e përparme në momentin e përplasjes.
Për ata që studiojnë rezultatet e tragjedive të linjave ajrore, megjithatë, kjo nuk është një surprizë: statistikat flasin se sediljet në pjesën e pasme të avionit, tregojnë shkallën më të lartë të mbijetesës në rast aksidenti ajror.
Roli i dinamikës
Ekspertët kujtojnë se çdo aksident duhet të trajtohet si një rast individual. Dhe se dinamika e përgjithshme – shpejtësia, ndikimi, konteksti gjeografik, manovrat – përcaktojnë rezultatin përfundimtar për sa i përket vdekjeve, lëndimeve dhe të mbijetuarve.
Megjithatë, ekziston një pjesë e kabinës që do të tregonte norma më të larta mbijetese se pjesët e tjera.
Ajo ndodhet në gjysmë të rrugës midis krahëve dhe bishtit, në gjysmë të rrugës midis dy korridoreve (në një aeroplan për fluturime ndërkontinentale) ose ka pamje nga një korridor (në një avion për udhëtime të shkurtra deri të mesme, si “Embraer E190” i rrëzuar). Kushdo që ulet në këtë zonë, ka një shans 74% për t’i shpëtuar një aksidenti i padëmtuar.
Analiza
Të dhënat dalin nga një analizë e kohëve të fundit që “Corriere della Sera” kreu duke shfletuar bazat e të dhënave të Organizatës Amerikane të Aviacionit (FAA).
Të gjitha aksidentet në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës që rezultuan në vdekje dhe lëndime, u studiuan (duke përjashtuar kështu ato pa të mbijetuarit), për të cilat disponohet konfigurimi i brendshëm i sediljeve me një tregues të pasojave fizike për ata që u ulën atje: nëse humbën hetën (për shkak të goditjes ose mbytjes, djegieve, asfiksimit) dhe nëse mbijetuan si (me plagë ose pa plagë).
Të gjithë këto parametra japin detaje të 50 përplasjeve nga viti 1969 (një DC-8 në Santa Monica), deri në vitin 2013 (“Boeing 777” i Azisë në San Francisko).
Në kabinë
Sa më tej të shkohet në pjesën e pasme të avionit, aq më shumë ka gjasa që të mbijetoni, sipas numrave.
Shanset nga 40% në klasin e parë ose të biznesit (në varësi të konfigurimit), në 57% në sektorin tjetër të avionit deri te krahët.
Përqindja rritet në 62% në bllokun e mesit menjëherë pas krahëve (dhe motorëve) për të arritur në 70% në dhjetë rreshtat e fundit, përpara banjove të pasme dhe bishtit të avionit.
Midis sediljeve në pjesën e pasme, ato përgjatë anës së korridorit (në një “Airbus A320” ose “Boeing 737”), ose midis dy rreshtave (në një “Airbus A330/A350” ose “Boeing 777/787”), tregojnë një shkallë mbijetese prej 74%.
Të dhënat
Rezultati përfundimtar i një aksidenti – ia vlen të kujtohet edhe një herë – varet nga faktorë të ndryshëm.
Një avion që zhytet në oqean me shpejtësi shumë të madhe nuk ofron praktikisht asnjë shans për të mbijetuar. Megjithatë, fluturimi, në këtë periudhë, mbetet mënyra më e sigurt për të lëvizur.
Statistikat për vitin 2023 – të siguruara nga “Iata”, shoqata ndërkombëtare e linjave ajrore – tregojnë se me numrat aktualë, një person do të duhej të fluturonte çdo ditë, për 103.239 vjet, përpara se të humbiste jetën në një aksident me avion (por vdes përpara për arsye të dukshme biologjike).
Fluturimi është bërë aq i sigurt, sa viti 2023 ishte koha më e mirë që kur ekzistonte aviacioni komercial. Vdekshmëria në lartësi të mëdha, krahasuar me 60 vjet më parë, është ulur me 97%.
90 sekonda
Profesori i Universitetit të Greenwich-it, Ed Galea, thekson se shumica e pasagjerëve humbasin jetën, sepse nuk arrijnë të largohen nga avioni në kohë.
Të paktën jo në 90 sekondat e përcaktuara nga standardi ndërkombëtar. Në librin tashmë të famshëm “Klubi i të mbijetuarve – Një udhëtim për të zbuluar fytyrën e fshehur të jetës (dhe vdekjes)”, autori Ben Sherëood kujton se 80% e përplasjeve të avionit ndodhin brenda tre minutave pas ngritjes ose brenda tetë minutave para uljes.
Rregulli i 5 rreshtave
Kjo është arsyeja pse, të gjithë ekspertët bien dakord, që vëmendje maksimale duhet t’i kushtohet udhëzimeve të sigurisë përpara nisjes.
Ashtu siç nuk duhet të shpërqendroheni duke dëgjuar muzikë në kufje – aq më tepër pas ngritjes dhe para uljes -, ashtu siç nuk duhet të flini ose të hiqni këpucët ose të vishni rroba të pakëndshme në rast të largimit të shpejtë ose të përdorni lëndëve narkotike.
Për të rritur shanset për të mbijetuar, Galea ka mbështetur prej kohësh “rregullin e 5 rreshtave”: duke studiuar 105 aksidente avioni dhe pasi foli me mbi dy mijë të mbijetuar, profesori arriti në përfundimin se ata që janë ulur më së shumti pesë rreshta pranë një daljeje emergjente, kanë më shumë gjasa të shpëtojnë nga vdekja.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.