Ezaurimi, një gjendje lodhjeje emocionale, fizike dhe mendore pas stresit të zgjatur është përshkruar në vendet e punës që nga një manastir i shekullit të 5-të në Egjipt.
Ezaurimi dhe depresioni mund të duken të ngjashme dhe janë gjendje relativisht të zakonshme e për pasojë, edhe mund të ngatërrohen.
Cili është ndryshimi midis ezaurimit dhe depresionit?
Ezaurimi karakterizohet nga pafuqia dhe depresioni nga pashpresa. Ato mund të kenë shkaqe të ndryshme dhe gjithashtu duhet të menaxhohen ndryshe.
Çfarë është ezaurimi?
Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon gjendjen si një “dukuri profesionale” që rezulton nga presionet e tepërta të ngarkesës së punës. Ndërsa zakonisht lidhet me vendin e punës, kujdestarët e fëmijëve ose prindërit janë gjithashtu më të predispozuar për ta pasur.
Një hulumtim i ri krijoi një sërë simptomash të ezaurimit për të ndihmuar në vetëdiagnostikim. Ato përfshijnë:
-rraskapitja si simptoma kryesore
-përqendrimi dhe memoria e dobët
-vështirësi për të gjetur kënaqësi në ndonjë gjë
-tërheqje sociale
-një humor i paqëndrueshëm (ndjenja ankthi dhe nervozizmi)
-performanca e dobët në punë (kjo mund të jetë rezultat i simptomave të tjera si lodhja).
Njerëzit mund të zhvillojnë një fazë “ezaurimi” pas kërkesave intensive të punës për vetëm një ose dy javë.
Çfarë është depresioni?
Një episod depresiv përfshin një rënie të vetëvlerësimit, rritje të vetëkritikës dhe ndjenjat e dëshirës për të hequr dorë. Jo të gjithë me këto simptoma kanë depresion klinik, i cili kërkon një diagnozë dhe ka një grup simptomash shtesë.
Depresioni i diagnostikuar klinikisht mund të ndryshojë sipas gjendjes shpirtërore, sa kohë zgjat dhe nëse kthehet. Ekzistojnë dy lloje të depresionit klinik:
Depresioni melankolik ka shkaqe gjenetike, me episode që kryesisht vijnë “nga asgjëja”.
Depresioni jo-melankolik shkaktohet nga faktorë mjedisorë, shpesh i shkaktuar nga ngjarje të rëndësishme të jetës që sjellin rënie të vetëvlerësimit.
Kur ekspertët krijuan masën e ezaurimit, krahasuar simptomat e saj me këto dy lloje të depresionit.
Ezaurimi ndan disa tipare me depresionin melankolik, por ato priren të jenë simptoma të përgjithshme, të tilla si ndjenja e humbjes së kënaqësisë, energjisë dhe aftësive të përqendrimit.
U zbulua gjithashtu se kishte më shumë ngjashmëri midis ezaurimit dhe depresionit jo-melankolik (mjedisor). Kjo përfshinte mungesën e motivimit dhe vështirësitë për të fjetur ose për t’u gëzuar, ndoshta duke reflektuar faktin që të dyja kanë shkaqe mjedisore.
Dallimet midis ezaurimit dhe depresionit bëhen më të qarta kur shikojmë pse ndodhin dhe këtu futet në lojë personaliteti.
Studimi sugjeron se një tipar si perfeksionizmi i vendos njerëzit në një rrezik shumë më të lartë të ezaurimit. Por ata mund të kenë më pak gjasa të bien në depresion pasi priren të shmangin ngjarjet stresuese dhe t’i mbajnë gjërat nën kontroll.
Ata me ezaurim në përgjithësi ndihen të mbingarkuar nga kërkesat ose afatet që nuk mund t’i përmbushin, duke krijuar një ndjenjë pafuqie.
Nga ana tjetër, ata me depresion raportojnë se kanë ulur vetëvlerësimin. Pra, në vend që të ndjehen të pafuqishëm ata mendojnë se ata dhe e ardhmja e tyre është e pashpresë.
Megjithatë nuk është e pazakontë që dikush të përjetojë si ezaurim dhe depresion në të njëjtën kohë. Për shembull, një shef mund të vendosë kërkesa të tepërta për punë ndaj një punonjësi, duke e vënë atë në rrezik të ezaurimit. Në të njëjtën kohë, punëdhënësi gjithashtu mund ta poshtërojë atë punonjës dhe të kontribuojë në një episod depresioni jo melankolik.
Çfarë mund të bëni?
Një strategji kryesore në menaxhimin e ezaurimit është identifikimi i faktorëve stresues që kontribuojnë. Për shumë njerëz, ky është vendi i punës. Marrja e një pushimi, qoftë edhe të shkurtër, ose caktimi i një kohe pushimi mund të ndihmojë.
Sa i përket menaxhimit të simptomave, murgjit kishin idenë e duhur. Ushtrimet e forta, meditimi dhe vetëdija janë mënyra efektive për të përballuar stresin e përditshëm.
Faktorët më të thellë kontribues, duke përfshirë tipare të tilla si perfeksionizmi, duhet të menaxhohen nga një psikolog klinik i aftë.
Për depresionin melankolik, mjekët shpesh rekomandojnë ilaçe kundër depresionit.
Për depresionin jo-melankolik, mjekët do të ndihmojnë në adresimin dhe menaxhimin e shkaktarëve që janë shkaku kryesor.
Ndërsa mund të ketë një diagnozë të gabuar midis depresionit dhe ezaurimit, ezaurimi mund të imitojë problemet të tjera shëndetësore si anemia ose hipotiroidizmi.
Për diagnozën e duhur, është më mirë të flisni me mjekun tuaj, i cili duhet të kërkojë të marrë një panoramë të “të gjithë pamjes”. Vetëm atëherë, pasi të jetë konfirmuar diagnoza dhe të përjashtohen shkaqet e tjera të mundshme, duhet të vendosen strategji efektive mbështetëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.