Gazeta Si – Ushtria izraelite ka konfirmuar se ka vrarë tre komandantë kryesorë ushtarakë dhe dy shkencëtarë të përfshirë në programin bërthamor të Iranit. Vdekjet e tyre janë konfirmuar edhe nga disa media iraniane.
Personeli ushtarak është:
Mohammad Bagheri, kreu i ushtrisë së rregullt dhe komandanti më i lartë në sistemin iranian pas Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei;
Gholamali Rashid, një komandant i lartë në ushtri;
Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare (e njohur edhe si Pasdaran), forca ushtarake më e fuqishme e Iranit dhe në përgjithësi një qendër e madhe pushteti në vend, e cila kontrollon gjithashtu një pjesë të mirë të vendimeve ekonomike dhe të politikës së jashtme.
Shkencëtarët janë:
Fereydoun Abbasi, kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit midis viteve 2011 dhe 2013;
Mohammad Mehdi Tehranchi, fizikant dhe rektor i Universitetit Islamik Azad të Teheranit.
Komandant Salami
Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare Islamike, është ndoshta udhëheqësi më i lartë iranian i vrarë në sulmet izraelite.
Salami u bashkua për herë të parë me Gardën Revolucionare në vitin 1980 gjatë shpërthimit të Luftës Iran-Irak.
Ndërsa ngjitej në radhët ushtarake, ai u bë i njohur për retorikën e tij të fortë kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Që nga vitet 2000, ai është sanksionuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe SHBA-të për përfshirjen e tij në programet bërthamore dhe ushtarake të Iranit.
Ai ishte kreu i Gardës Revolucionare në vitin 2024 kur Irani kreu sulmin e parë ushtarak të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit, duke vendosur më shumë se 300 dronë dhe raketa.
Ndërsa tensionet me Izraelin u rritën në ditët e fundit, Salami tha të enjten se Irani ishte “plotësisht i gatshëm për çdo skenar, situatë dhe rrethanë”.
Gjeneral Bagheri
Gjenerali Mohammad Hossein Bagheri, është një tjetër figurë e rëndësishme e ushtrisë iraniane që është vrarë në sulmin ajror të ndërmarrë nga Izraeli në kryeqytetin Iranian mëngjesin e së premtes. Bashkë me të, në të njëjtin operacion të koduar “Rising Lion”, humbi jetën edhe kreu i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, si dhe dy shkencëtarë të rëndësishëm bërthamorë, Mohsen Tehranchi dhe Reza Abbasi.
Mohammad Bagheri, që prej vitit 2016 mbante postin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, ishte arkitekti kryesor i modernizimit ushtarak të Republikës Islamike dhe një strateg i njohur në fushën e mbrojtjes rajonale. I lindur në Teheran rreth vitit 1960, ai kishte një formim të fortë akademik dhe një karrierë të gjatë në Trupat e Gardës Revolucionare, ku shërbeu që nga viti 1979.
Sulmi ka shkatërruar disa ndërtesa strategjike në Teheran, ndërsa burime të afërta me qeverinë iraniane e kanë konfirmuar vrasjen e Bagherit si një humbje të rëndë për aparatin ushtarak dhe politik të vendit. Bagheri kishte qenë një figurë kyçe në ndërtimin e aleancave me Rusinë, Kinën dhe Sirinë, dhe kishte rol vendimtar në programet e raketave dhe mbrojtjes ajrore të Iranit.
Dy shkenctarët
Dy emra pak të njohur për publikun e gjerë, por themelorë për Iranin: Mohammad Tehranchi dhe Fereydoon Abbasi-Davani.
Të dy shkencëtarë, të dy të lidhur me programin bërthamor. Të dy të vrarë në Teheran në bastisjet izraelite më 13 qershor.
Lajmi vjen mes shpërthimeve të natës dhe ndërprerjeve të informacionit. Por detajet dalin në pah dhe janë të rënda: Izraeli ka goditur në zemër, duke synuar jo vetëm strukturat, por edhe mendjet shkencore.
Operacioni ushtarak i nisur nga Izraeli nuk kishte për qëllim të godiste centralet bërthamore.
Paralelisht, Mossadi ka kryer disa bastisje në Teheran dhe qytete të tjera për të eliminuar ushtarët dhe shkencëtarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.