Sëmundjet kronike të mushkërive, diabetit dhe kancerit do të rriten në Shqipëri. Kjo për shkak të pandemisë COVID-19 dhe plakjes së popullsisë së vendit.
Sipas Strategjisë Kombëtare të Shëndetit 2021-2030, të publikuar në fletoren zyrtare, incidenca e sëmundjeve jo të transmetueshme do të shtohet. Kjo problematikë është shtuar për shkak të mungesës së diagnostikimit dhe zbulimit të hershëm. Sipas të dhënave, shtrimet në spital në vitin 2020 janë ulur me gati 30%. Rënia më e madhe ishte në kardiologji (26%) dhe transplantet e veshkave (63%).
Pati gjithashtu rënie të konsiderueshme në depistimin për kancerin e gjirit (26%) dhe radioterapi (8%).
Sipas raportit mbi të cilin është regjistruar strategjia, në javë referohen për skaner rreth 800 pacientë në rang vendi, me kohë mesatare pritjeje 5 ditë. Ndërsa për rezonancë 680 pacientë me kohë mesatare pritjeje 25 ditë.

Gjithashtu një e dhënë tjetër e rëndësishme është edhe financimi publik. Parashikohet që për kujdesin shëndetësor të arrijë në 70% të shpenzimeve të përgjithshme shëndetësore deri në vitin 2030.
Në raport përcaktohet se përllogaritja e kostove është bërë sipas viteve financiare. Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e Planit të veprimit për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 është rreth 496.40 miliardë Lekë.

“Presioni ndaj shërbimeve shëndetësore pritet të rritet në afat të gjatë. Arsyet kryesore do të jenë shtimi i sëmundjeve që kanë mbetur të padiagnostikuara gjatë pandemisë dhe shtimi i komplikimeve afatgjata kardiovaskulare dhe respiratore te personat që kanë kaluar COVID-19”, thuhet në strategji.
Por nuk janë vetëm efektet anësore të Covid-19 dhe vonesat në diagnostikim që do të përkeqësojnë situatën. Një faktor tjetër është rritja e moshës së popullsisë.
“Sëmundjet jo të transmetueshme (SKK) janë një shqetësim në rritje për shoqërinë shqiptare për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë. Ato kanë pasur një rritje të ndjeshme gjatë periudhës 1990-2010. Ky trend pritet të vazhdojë edhe në 10 vitet e ardhshme si pasojë e rritjes së jetëgjatësisë dhe plakjes së popullsisë shqiptare”, thuhet në raport.
Sipas raportit, do të merren masa për të zgjerimin e rimbursimit të ilaçeve, uljen e bashkë pagesave për barna dhe sigurimin e efikasitetit të lartë të barnave në listën e rimbursimit.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se nuk ka masa të mjaftueshme për të kufizuar shërbimet parandaluese, si konsumimi i duhanit dhe alkoolit apo edhe përdorimi i dietave të shëndetshme për të shmangur kolesterolin.
Strategjia përcakton se gjatë vitit 2022 do të kryhet ristrukturimi i kujdesit spitalor, duke siguruar efikasitetit të shërbimit, të kosto-efektivitetit dhe performancë të sistemit spitalor në Shqipëri. Kjo çështje lidhet me aplikimin dhe shtrirjen e autonomisë spitalore.
“Delegimi i kompetencave të menaxhimit spitalor rrit potencialin për përdorim më efikas të burimeve spitalore, përgjigje më të shpejtë ndaj nevojave të spitalit, krijon dimensione të reja të performancës së burimeve njerëzore”, thuhet më tej në strategji.
Gjithashtu, pritet që gjatë viteve të ardhshme të kryhen më tej kërkime shkencore në rezistencën ndaj antibiotikëve në vendin tonë.
Strategjia parashikon investimet në infrastrukturë dhe teknologjinë spitalore, me krijimin e katër qendra rajonale për kujdes të specializuar, deri në vitin 2025, të cilat do të funksionojnë në formën e Qendrave Referenciale të Diagnostikimit dhe Trajtimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




