Kombetarja

Cikalleshi: Më mirë me dy sulmues, kemi fituar më parë në Izrael

Gazeta Si – Më 24 shtator kuqezinjtë ndeshen me Izraelin në transfertë në Ligën e Kombeve, ku kërkohet patjetër rezultat pozitiv. Trajneri Reja ka disa mungesa për këtë sfidë dhe atë me Islandën në Tiranë, por atmosfera mbetet optimiste.

Sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mbrojtësi Frederik Veseli janë dy lojtarët që dolën në konferencë shtypi për të folur për ndeshjen e së shtunës. Futbollisti kavajas mes të tjerash theksoi se skuadra ka punuar shumë për golin.

“Po punojmë për shënimin e golave, po bëjmë më të mirën për momentin, edhe pse grupi nuk është i plotë. Kur luan me dy sulmues është më mirë, sepse mundësia për të shënuar është më e madhe. Kemi bërë gabime që mund të evitoheshin në ndeshjet e fundit, i kemi analizuar me video.

Izraeli është kundërshtar i vështirë, por edhe grupi ishte më i vështirë se më parë. Duhet të bëjmë më të mirën taktikisht, të mos pësojmë dhe më pas të shohim për të shënuar dhe fituar. Na duhen 3 pikët.

Kemi fituar më parë në Izrael, edhe atëherë ishin ekip shumë i mirë. Ndoshta mund të ndryshojë skema, mund të jemi më offensive, sepse na duhet vetëm fitorja. Jam i sigurt se trajneri do të bëjë më të mirën.

Kam nisur një aventurë te re në Arabi, mund të kthehem sërish te Koniaspori. Ftesa e Kombëtares nuk do të më mungojë, nëse shënoj. Eljon Toçi? Uroj të ketë karrierë të mirë, por mos e krahasoni me Cikalleshin, që të bëhet më i mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë