Për ndeshjen e radhës me Anglinë kanë folur sot dy nga lojtarët me më shumë përvojë të Kombëtares, sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mesfushori Odise Roshi. Që të dy besojnë se kuqezinjtë do të bëjnë një ndeshje të mirë në stadiumin “Wembley” të Londrës.
Cikalleshi vjen në Kombëtare pas dygolëshit në kampionatin turk dhe është në formën optimale. “Ndihem mirë, jam në formë, kam shënuar në kampionat dhe nëse do jem në fushë, uroj ta ndihmoj ekipin në një rezultat sa më pozitiv, edhe pse është ndeshje shumë e vështirë. Nuk kemi dyshe stabël në sulm dhe të shohim vendimin e trajnerit.
Me Rejën jam ndjerë shumë mirë dhe kam shënuar. Me të kemi kaluar nga epoka De Biasi me një futboll më shumë difensiv, tek epoka Reja, ku topin e mbajmë më shumë ne. Luajmë futboll ofensiv dhe për ekipe si Shqipëria kjo nuk është pak. Goli në “Wembley”, nëse nuk do të jepte rezultat, nuk besoj se do të ndryshonte shumë në aspektin personal. Duhet të jemi realistë, diferenca e Anglisë është e nivelit botëror. Duhet të luftojmë si në ndeshjet me Francën, ku kemi barazuar, apo me Portugalinë. Shpirti i garës dhe harmonia e grupit na ka çuar te rezultati”, – ka thënë mes të tjerash Cikalleshi.
Roshi shpreson që të zërë një vend titullari në formacion. Ai evidentoi rritjen e Kombëtares në këtë edicion: “Të gjithë e dimë që me Anglinë është një ndeshje shumë e vështirë. E dimë kualitetin që Anglia ka, por shpresojmë të bëjmë më të mirën. Mesfushën e kemi shumë të mirë, por jemi rritur shumë si ekip. Trajneri nuk e ka vendosur ende se cilët do të jenë 11 lojtarët që do të zbresin në fushë, kuptohet që është kënaqësi shumë e madhe të luash kundër Anglisë dhe shpresoj te jem në formacion.
Kombëtarja meriton notën 8 për këto eliminatore. Kualifikimi? Mrekullitë kanë ndodhur dhe prandaj janë të bukura. Shpresoj që të ndodhë kjo gjë. Kështu kemi shkuar në Portugali në 2014-ën dhe e kemi fituar ndeshjen. Kemi lojtarë që luajnë në nivele shumë të mira dhe shpresojmë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




