Kuqezinjtë janë grumbulluar sot në Barcelonë, ku po zhvillojnë përgatitjet për ndeshjet e para kualifikuese në Grup, duke nisur nga transferta me Andorrën. Dy lojtarët e parë që kanë dalë në konferencë shtypi janë sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mbrojtësi i rikthyer, Arlind Ajeti.
Sulmuesi kavajas, që po kalon një formë shumë të mirë dhe pritet të mbajë peshën e sulmit, theksoi se Kombëtarja duhet t’i nisë me fitore eliminatoret e Botërorit. “Patjetër që objektivi ynë është që ta nisim me këmbë të mbarë. Gjëja kryesore është që të arrijmë të marrim rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Nëse do të shënoja dhe t’i sillja ekipit fitoren, do ishtë një kënaqësi e dyfishtë.

Andorra është ndeshje për t’u vlerësuar, sepse nëse kthejmë sytë nga historia, kemi pasur situata, ku kemi hasur shumë vështirësi. Do jemi shumë të fokusuar për të arritur 3-pikëshin. Përballë kemi edhe Anglinë, një skuadër e nivelit botëror, ajo çka na ngelet është që të gjitha mundësitë tona t’i shpalosim në fushë, nga ana fizike dhe nga shpirti i garës e disiplina taktike. Nëse i bëjmë këto gjëra dhe pastaj kualiteti i Anglisë vendos ndeshjen, na ngelet veç ta duartrokasim.
Besoj se gjithë ekipi ndihet shumë mirë, duke u nisur nga Liga e Kombeve, ku arritëm objektivin. Lojtarët po luajnë thuajse të gjithë ne ekipet e tyre. Jemi gati. Duhet të futemi në fushë jo për të shënuar Cikalleshi apo dikush tjetër, por për ta fituar. Nëse do jem në fushë, unë jam sulmues dhe mundësia më e madhe është të shënoj unë, por nuk do të thotë se do të shënoj unë patjetër. E rëndësishme është të fitojmë.
Jemi përballë një sfide, që jemi të gatshëm ta provojmë. Në letër ne renditemi pas Hungarisë dhe Polonisë në grup, duke lënë mënjanë Anglinë, por besoj se çdo hap përpara që mund të arrijmë në fund të kompeticionit, sado i vogël qoftë, besoj që duhet përgëzuar. Do të provojmë gjithçka. Nëse kualifikohemi, do jetë supersukses, por edhe po të lëmë pas Hungarinë, besoj se do jetë një hap përpara.
Dua që ekipi, pavarësisht kundërshtarit, të shpalosië vlerat e veta. Nëse e bëjmë këtë gjë, pavarësisht renditjes, do të jemi të qetë me veten. Edhe pse kemi pasur luhatje, ishim shumë afër, nëse edicionin e kaluar do të fitonim në Turqi. Mund të ndryshonte fati për kualifikim për europian. Futbollit nuk i dihet. E ardhmja? Ndihem shumë mirë në Turqi. Kam edhe një vit tjetër me Koniasporin. Nëse do më vinte një ofertë nga ligat më të forta, do ta shqyrtoja, por për momentin nuk ka asgjë”, – është shprehur Cikalleshi.

Me entuziazëm për ndeshjet e radhës ka folur edhe Ajeti: “Jam shumë i lumtur që jam rikthyer, nuk mund ta fsheh kënaqësinë. Më ka munguar shumë Kombëtarja. Vij në një grup që ka shumë lojtarë që janë aktivizuar me klubet e tyre dhe kjo do na japë një besim të madh për ndeshjen e ardhshme. Kombëtarja ka pasur gjithmonë një grup të mirë, më kanë pritur mirë dhe kjo më bën të ndihem edhe më mirë.
Kur jemi në Kombëtare, të gjithë luajmë me zemër dhe japim shpirtin. Ndeshjet janë të vështira dhe nuk nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Do të zbresim në fushë për të dhënë maksimumin. Andorrën nuk duhet ta nënvlerësojmë, kemi luajtur me të dhe e dimë çfarë fushe e vështirë është. Jemi profesionistë, e njohim njëri-tjetrin dhe pavarëësisht kohës së paktë, jam optimist se do t’ia dalim. Në Andorra edhe Franca e ka pasur të vështirë”, – tha mes të tjerash Ajeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




