Ka ndodhur

Çifti indian me dokumente false në Rinas, shqiptarit i kapen bizhuteri

Gazeta Si – Një çift bashkëshortësh indianë, janë kapur në Rinas nga Policia Kufitare me dokumente false dhe ndaj tyre ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Shtetasit M.P., 23 vjeç dhe  P.P., 22 vjeçe, të cilët kishin për qëllim udhëtimin e tyre nga Shqipëria drejt Francës, kanë paraqitur krahas pasaportave të tyre, edhe leje qëndrimi franceze.

Pas verifikimit të këtyre dokumenteve ka rezultuar se lejet e  qendrimit të paraqitura, ishin të falsifikuara.

Gjithashtu, Policia Kufitare Rinas ka proceduar penalisht shtetasi H. P., 59 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave ose sendeve me vlerë”.

I dyshuari kaloi në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm të bagazheve, si dhe për kontroll fizik.

Gjatë kontrollit të bagazheve, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bizhuteri (unaza, varëse dhe sende të tjera) të padeklaruara në degën e Doganës Rinas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë