Nga Gazeta “SI” – Si mund të jetë jeta e një çifti i cili ka probleme të thella mes vetes dhe ku pasojat bien kryesisht mbi gruan? Një burrë në karrierë i cili gjen shpëtim tek vajzat e reja, dhe një grua shtëpiake e cila gjendet e mbërthyer nga depresioni dhe ideja e vetëvrasjes? Përgjigjet e këtyre pyetjeve na i sjell komedia “Çifti i hapur”, shkruar nga nobelisti Dario Fo dhe bashkëshortja e tij Franca Rame dhe e vënë në skenën e Teatrit Kombëtarë po nga një çift tjetër në jetën reale por dhe në skenë , Romir Zalla dhe Suela Bako ,dhe me regji të Sulejman Rushitit.
Shfaqja nis me thirrjet e bashkëshortit inxhinier Mambretit ndaj së shoqes, Antonias, një shtëpiake e dëshpëruar e cila nuk gjen asnjë motiv për të jetuar. Të gjithë këtë pezm asaj ia shkakton lënia pas dore nga bashkëshorti i saj , i cili ka vendosur të bëjë një jetë të krejt tjetër nga ajo.

Ai dashuron çdo grua të mundshme, madje duke i sjellë ato në shtëpi, në dhomën e gjumit. Kjo është marrëveshja e cila sipas tij e ndihmon çiftin të jetë më koherent dhe të rishpikë vetveten. Por Antonia edhe pse e ka pranuar këtë fakt, nuk është dakord kurrsesi. Me moral të rënë përtokë dhe me pak shpresa për të rigjetur freskinë femërore, ajo niset në kërkim të të dashurit, madje me bekimin e të birit.
Duke vënë në pah përpjekjet e gruas postmoderne e cila është gjithmonë në luftë me kohën, me rrudhat, me vithet e rëna dhe me mënjanimin nga lupa e meshkujve të bukur, ajo i rrëfen publikut me zell dhe pathos të gjitha përpjekjet e dështuara të saj për të mbajtur ritmin e të shoqit.
Deri sa në një moment, skena ndryshon e po ashtu dhe Antonia e cila nuk është më ajo gruaja e djerrosur e lënë pas dore, por me kohën dhe përpjekjet , pamja e saj ka ndryshuar. Është bërë më agresive, më rinore dhe më “rock”. Kjo e fundit për arsye se i dashuri i saj “i shpikur” është një profesor dhe fizikant i cili ka pasion muzikën rock.

Këtu nis dhe kthesa e ngjarjeve. Gjatë një vizite të së shoqit në apartamentin e saj të ri, ndodh edhe ajo që nuk pritej. Pendesa e inxhiner Membrantit kur sheh se e shoqja tashmë është një grua e plotësuar, e dashuruar , pa asnjë gjurmë të së shkuarës përballet me vendosmërinë e Antonias për të mos i dhënë një shans tjetër marrëzive të tij.
Loja aktoriale e Romir Zallës dhe Suala Bakos mbetet brilante, me një natyrshmëri dhe përshtatje krejt origjinale. Romiri si një komedian “alla amerikan” dhe Bako si një aktore thuajse klasike, e sjellin këtë çift “të çmendurish” në mënyrë autentike.
Elementët ballkanikë të implementuar në shfaqje shpesh e devijionin thelbin dhe gjendjen e ngjarjes e cila është fund e krye një lojë e njeriut postmodern, duke ia “zhbërë” natyrshmërinë. Por regjisori duke pasë parasysh dhe genin ballkanik të publikut, e ka menduar si të garantuar suksesin e këtyre ndërhyrjeve. Të qeshurat e publikut e konfirmuan plotësisht këtë “devijim”

“Çifti i hapur” edhe sot pas 42 vitesh nga koha ku Fo dhe Rame e shkruan thuajse si një reflektim i jetës së tyre, mbetet një thirrje e fortë për kujdes dhe dashuri që na kujton të gjithëvë se jeta jonë është një vorbull e cila do ushqyer shpesh, ndryshe përfundon në keqkuptime dhe funde të padëshirueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.