Bota

CIA: Sulmi në koncertin e Taylor Swift në Vjenë, i planifikuar të shkaktonte mijëra viktima

Gazeta Si - Të dyshuarit për sulmin e dështuar në koncertet e këngëtares Taylor Swift në Vjenë në fillim të këtij muaji, dyshohet se u përpoqën të "vrisnin një numër të madh njerëzish" përpara se CIA, agjencia e inteligjencës civile amerikane, të zbulonte informacione që prishën planifikimin dhe çuan në arrestimin e autorëve të dyshuar.

Këtë e ka zbuluar zëvendësdrejtori i CIA-s, David Cohen, i cili diskutoi planin e dështuar të mërkurën gjatë një samiti të inteligjencës në Maryland të SHBA-ve.

Cohen foli për "dhjetëra mijëra" viktima të mundshme, nëse plani i autorëve të dyshuar të radikalizuar të ISIS-it do të vihej në zbatim. Zyrtarët austriakë thonë se i dyshuari kryesor ishte frymëzuar nga grupi i Shtetit Islamik.

Ai dyshohet se kishte planifikuar të sulmonte jashtë stadiumit, ku pritej të mblidheshin më shumë se 30,000 fansa, me thika ose eksplozivë të bërë vetë.

Superylli i "Eras Tour" anuloi tre shfaqje në stadiumin austriak “Ernst Happel” në Vjenë, pasi u informua nga autoritetet austriake për një sulm të planifikuar nga katër persona me lidhje me Shtetin Islamik.

U bënë të paktën tre arrestime. Swift i quajti anulimet e koncerteve "shkatërruese", duke shkruar në një postim në rrjetet sociale: "Më mbushi me një ndjenjë të re frike dhe faji të madh që kaq shumë njerëz kishin planifikuar të vinin në këto koncerte".

Por, shtoi Swift, “u jam shumë mirënjohës autoriteteve, sepse falë tyre ne jemi mërzitur për koncertet dhe jo për jetë njerëzish. Dashuria dhe uniteti që pashë te fansat e mbledhur më dhanë kurajë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë