Nga Gazeta Si – Enzo Maresca nuk është më trainer i Chelsea-t edhe pse klubi aktualisht ndodhet në vendin e 5-të në “Premier League”.
45-vjeçari italian largohet më pak se 6-të muaj pasi fitoi Kupën e Botës për Klube në fund të sezonit të parë në “Stamford Bridge”.
Blutë kanë fituar vetëm 1 nga 7-të ndeshjet e fundit në kampionat dhe morën vetëm 6-të pikë nga 6-të ndeshje në Dhjetor, duke mbetur 15 pikë pas kryesuesve të Arsenal.
Megjithatë, rezultatet janë vetëm një pjesë e historisë.
Maresca, kontrata e të cilit ishte e vlefshme deri në vitin 2029, kishte impresionuar figurat kyçe në “Stamford Bridge” – përfshirë drejtorët sportivë Paul Winstanley dhe Laurence Stewart, si dhe bashkëpronarin Behdad Eghbali – kur e udhëhoqi Chelsea-n drejt një vendi në “Big4” në kampionat, fitoi “UEFA Conference League” dhe Kupën e Botës për Klube sezonin e kaluar.
Megjithatë, suksesi u kthye shpejt në përplasje me drejtuesit. Maresca habiti edhe anëtarë të stafit të tij kur – pas fitores 2-0 ndaj Everton-it, e vetmja fitore e Chelsea-t në “Premier League” në Dhjetor – deklaroi se “shumë njerëz” ia kishin bërë ato “48 orët më të këqija” që nga ardhja e tij në klub.
Këto komente erdhën pa paralajmërim për stafin apo drejtuesit e lartë, të cilët do të kishin preferuar që diskutimet të mbeteshin private. Por tensionet kishin nisur prej muajsh.

Maresca kishte shpresuar të rrite profilin e tij pas sukseseve me Chelsea-n përmes angazhimeve jashtë klubit.
Ai planifikonte të botonte një libër, por iu bllokua kjo mundësi, dhe foli në “Il Festival dello Sport” – event në Itali i organizuar nga gazeta “La Gazzetta dello Sport” – pa lejen e klubit.
Ai gjithashtu bëri publik mospajtimin e tij me vendimin e klubit për të mos transferuar një qendër mbrojtës pas dëmtimit të Levi Colwill në ligamentin kruciat përpara fillimit të sezonit.
Drejtuesit argumentuan se një transferim i tillë mund të shtynte talentin e akademisë Josh Acheampong të kërkonte largimin, gjë që e detyroi Marescan të tërhiqej.
Ish-trajneri i Leicester-it ka ndërruar përfaqësuesin e tij – nga agjencia “Wasserman” te Jorge Mendes – dhe u përfol si pasardhës i mundshëm i Pep Guardiolës te Manchester City, diçka që Maresca e mohoi.
Për më tepër, ai shmangu gjithnjë e më shumë veshjen e kostumeve sportive të klubit, duke zgjedhur rroba personale.
Pas ndeshjes së tij të fundit me Chelsea-n (barazimi 2-2 me Bournemouth më 30 Dhjetor) – ndihmëstrajneri Willy Caballero tha se Maresca ishte i sëmurë për të kryer detyrimet mediatike, por kuptohet se mungesa e tij lidhej më shumë me reflektimin mbi hapat e ardhshëm.
U vu re gjithashtu se në një video 52-sekondëshe të publikuar nga Chelsea në rrjetet sociale në prag të Vitit të Ri, që përmblidhte vitin e klubit, nuk kishte asnjë gjurmë të Maresca-s.
Nga ana e tij, italiani besonte se presioni ndaj tij ishte i padrejtë duke pasur parasysh kushtet e vështira të punës dhe se ishte kaluar kufiri në përpjekjet për të ndikuar në përzgjedhjen e formacionit.

Edhe pse nuk ishte i zemëruar që po drejtonte një skuadër të re në moshë, ai mendonte se pritshmëritë e tifozëve duhej të menaxhoheshin më mirë, veçanërisht duke pasur parasysh dëmtimet e Colwill dhe sulmuesit Cole Palmer.
Chelsea fillimisht kishte planifikuar të vlerësonte situatën e tij në fund të sezonit nëse rezultatet përmirësoheshin, por pakënaqësia e Maresca-s ndikoi që ndarja të ndodhte më herët.
Çfarë e pret Chelsea-n?
Aktualisht, Blutë do të përballen me Manchester City-n të dielën pa trajner dhe nuk dihet kush do ti drejtojë stërvitjet deri atëherë.
Caballero, i cili u transferua nga Leicester së bashku me Maresca-n në vitin 2024, ka zëvendësuar italianin kur ky i fundit ka qenë i pezulluar dhe, pa një njoftim për të ardhmen e tij, ai mund të jetë një opsion i përkohshëm.
Chelsea ka qenë admirues i madhe i ish-trajnerit të Brighton, Roberto De Zerbi, i cili aktualisht është nën kontratë me Marsejën.
Klubi intervistoi trajnerin e Ipswich, Kieran McKenna dhe atë të Tottenham, Thomas Frank përpara se të firmoste me Maresca-n.
Gjithashtu, trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner dhe homologu i tij te Bournemouth, Andoni Iraola pritet të jenë në listën e kandidatëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




